Përfshihet nga flakët një traget i linjës Bari-Durrës me rreth 260 pasagjerë

13/05/2015 00:00

Trageti “Francesca” i linjës Bari-Durrës, me 260 persona në bord, u përfshi nga flakët rreth 7 milje larg nga Porti i Barit.

Sipas mediave italiane, zjarri ka nisur në turbinat e motorit. Pasagjerët e tragetit janë përfshirë nga paniku pas përhapjes së tymit, por Kapitaneria e Portit të Barit ka bërë të ditur se flakët janë vënë nën kontroll. Sipas të dhënave paraprake nuk ka persona të lënduar.   

Ndërkohë, Kapiteneria e Portit të Durrësit njofton se në traget ishin 131 pasagjerë shqiptarë.

Mësohet se 3 anije patrulluese të “Guardia di Finanza” mbërritën pranë anijes së bashku me zjarrfikësit, të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve.

Trageti “Francesca” ishte nisur nga Porti i Barit rreth orës 23:30 minuta dhe duhet të mbërrinte në Durrës sot rreth orës 08:00.

Top Channel