SHBA, treni del nga shinat, 6 të vdekur

13/05/2015 00:00

Një tren i kompanisë “Amtrak” ka dalë nga shinat në veri të Filadelfias të martën në mbrëmje, duke shkaktuar 6 të vdekur dhe 136 të plagosur, të cilët janë shtruar në spital.

Zyrtarë të hekurudhës dhe të zjarrfikësve thanë fillimisht se nuk ka viktima, pasi 8 vagonë të trenit, me rreth 240 pasagjerë, dolën nga shinat. Ndërkohë, më vonë, u konfirmuan 6 persona të vdekur.

Treni ishte nisur nga Uashington, DC, për në Nju Jork. Sipas dëshmitarëve treni po futej në një kthesë kur është dëgjuar një zhurmë e madhe dhe gjithçka më pas është ndalur, ndërsa pasagjerët nisën të tmerruar të kërkojnë për daljen.

Ndërkohë, si pasagjerë në tren, ishte edhe ish-kongresmeni amerikan, Patrick Murphy, i cili nuk ka pësuar lëndime, por është shprehur se është munduar të ndihmojë të plagosurit. “Lutuni për personat e plagosur”, tha ai.

Në pamjet e transmetuara nga mediat amerikane, me dhjetëra punëtorë të emergjencës përpiqeshin t’i vinin në ndihmë personave në nevojë.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit tha se është duke mbledhur informacione për zbardhjen e shkaqeve të daljes së trenit nga shinat, të cilat deri tani janë të paqarta, por zyrtarët thanë se nuk bëhet fjalë për një akt terrorist.

Top Channel