Të ndalen të marrët e Shkup!

13/05/2015 00:00

Bajram Peçi – Mungesa e tejskajshme e transparencës për ngjarjet në Kumanovë të shpie tërësisht në dyshimin rëndues se janë detyruar shqiptarët të mbrohen, qoftë dhe me armë, nga provokimi dhe reprezaljet e policisë, mbase dhe ushtrisë maqedonase.

Përse do ta hidhnin këtë hap aventurierët që drejtojnë sot administratën e shtetit multietnik? Kush ka ndjekur në këta dy muajt e fundit denoncimet e LSDM-së, me përgjimet që administron, kupton jo vetëm sjelljet antidemokratike të partisë në pushtet me gjithë aparatin administrativ, por sidomos kupton se ata rrezikojnë seriozisht pushtetin për shkeljet e rënda që klasifikohen si vepra penale. Pra, janë rrethanat më se të përshtatshme për ta degdisur rrezikun diku tjetër, dhe ata janë, si zakonisht në traditën jugosllave, shqiptarët. E gjitha kjo u shoqërua, për fatkeqësinë e popullatës civile, me një plojë gjaku, 22 të vrarë, mes tyre dhe fëmijë, dhe me qindra banorë që kanë braktisur vatrat familjare. Më mirë 22 të vdekur për Gruevskin sesa rrëzimi nga pushteti, me rreziqet që ai mbart nga pas, ku spikat veçanërisht ngjallja e djajve të luftës dhe cenimi i stabilitetit në rajon!

***
Një statujë 14 metra e lartë e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe një sërë statujash të tjera mbretërish, kalorësish e luanësh, kanë hedhur shtat në qendër të Shkupit, kryeqytetit të shtetit sllav, ish-RJ e Maqedonisë. Këto figura, shtatore e derdhje të tjera në bronz, u parashikuan se do të ishin simbol i “kombit maqedonas”, të cilin tërë historianët e dinë që nuk ekziston. Njerëzit e sotëm, sidomos ne shqiptarët, kemi interes të kuptojmë një orë e më parë strukturën dhe botën politike të Maqedonisë, të ndërtuara enkas si rrezik dhe kërcënim për popullatën shqiptare. Por edhe për të ashtuquajturit “maqedonas” është me interes për vetë popullin e tyre të ballafaqohen me atë pjesë të historisë të cilën nuk e duan. Nuk e duan, sepse ata janë aq fort të fiksuar pas stisjes e demagogjisë për një histori të re, çka nuk i lejon të shohin të vërtetën se cilët janë. Marrëzia e qeveritarëve sllavishtfolës me ngritjen e shtatores qëndron jo në faktin se Aleksandri i Madh nuk ka folur maqedonisht, por në vendosjen te basorelievi i përmendores edhe të teksteve shkollore, me kujtesën se janë pikërisht ata trashëgimtarët e këtij populli famëmadh të lashtësisë. Ndonëse maqedonasit, këta kushërinj të afërt me ilirët dhe trakët, nuk ishin helenë, por si gjithë pellgu mesdhetar i përkisnin kulturës helene, të përvetësuar tashmë nga Greqia megalomane pa të drejtë, gjithsesi kanë të drejtë kur këmbëngulin të mos e njohin shtetin dhe popullatën e tyre me emrin maqedonas.

***
A janë maqedonasit trashëgimtarë të Maqedonisë së Filipit II dhe Aleksandrit të Madh? Vetë pyetja më tingëllon mua si një teprim, por jo për akademikët e tyre, ndërsa historia i njeh si bullgarë. Të tillë ishin deri kur Bullgaria u shtrëngua nga Fuqitë e Mëdha të pranojë kushtet e Traktatit të Bukureshtit, më 10 gusht 1913, që shënonte fundin e Luftës II Ballkanike, duke humbur kështu me shpërbërjen e Turqisë europiane ato territore të lindjes së Maqedonisë së sotme. Nuk ka nevojë të ndërmarrësh udhëtime të lodhshme në histori. Do të ishte e pakuptimtë të mos ndjekësh pistën e dyndjeve të hershme mesjetare nga Lindja në Perëndim. Tiparet e tyre flasin qartazi për origjinën tartaro-mongole dhe gjuha tërësisht sllave, pa asnjë mbetje iliro-trake dhe greke, flet më mirë se çdo historian. Nuk ka nevojë të ftosh në debat antropologë, sepse këta sharlatanë nuk dinë ç’është studimi shkencor i racës.
Ky popull, i vetëquajtur maqedonas dhe politika e saj, ndodhur nën kthetrat e miteve dhe trilleve idiote, për ta parë veten të dalë nga portat e historisë prej lartësive greko-romake, bart një fryrje groteske e që nuk është gjë tjetër përpos se periudha në të cilën ata ndodhen mendërisht sot: mbrojtja e një identiteti të rremë.

Mua, si shkrues i këtij artikulli, në të vërtetë nuk më ha shumë meraku i shfaqjeve të marrëzive maqedonase, por fati i bashkëkombësve të mi. Në Maqedoni jeton sot komuniteti milionësh i shqiptarëve, jashtëzakonisht të përjashtuar nga ajo pjesë e jetës së maqedonasve, nga pushteti, herë të humbur brenda kombit sllav që mbizotëron, jo rrallë nën akuzën e radikalizmit fetar dhe veshur me petkun e myslimanit fanatik, ku siç dihet, Europa dhe qytetarët e saj janë shumë të ndjeshëm, por të prirë drejt familjes, edukimit, emancipimit e përpjekjes, popullsi e aftë të vetushqehet edhe shpirtërisht, duke mbrojtur identitetin e vet dhe atë të kombit të cilit i përkasin.

***
Habia nuk do të jetë tepër e madhe kur të zbulohet skenari i ngjarjeve të provokuara të Kumanovës, të tilla ngjashmërish me ato të vitit 2001 në fshatin Tanushë. Gruevski, i cili mesa duket nuk ka gjetur zgjidhje për të gjitha këto përgjime, për të cilat opozita i kërkon shpjegime VMRO-DPMNE-së, luan me vrasjet në Kumanovë kartën e fundit për të mbetur në pushtet. Në këtë skenar nuk ka munguar edhe tradhtia shqiptare e bashkëpunëtorëve aktivë dhe pasivë. Në qoftë se disa shqiptarë atje drejtojnë ndonjë gjë, ndonjë institucion apo kushedi çfarë tjetër, si kuadro rrogëtarë, këta nuk mund të konsiderohen si pjesë e strukturës vendimmarrëse, ashtu siç pretendojnë pamfletet e shumta antishqiptare. Edhe në superstrukturë, mund të jetë shqiptar, për shembull, ministri i Arsimit, por as mos t’i shkojë kurrkujt ndërmend se këtij të emëruari i janë lënë në dorë politikat arsimore. Nuk është aspak teprim të thuash, që edhe prania e partive politike shqiptare vlerësohet thjesht si një dekor.

***
Njohja reciproke e kombeve dhe respekti i ndërsjellë, e kushtëzon shumë paqen dhe luftën në botë. Maqedonasit të mos mendojnë se kufijtë politikë të vendosur pas Luftës I Botërore, duke lënë jashtë vullnetit të tyre miliona shqiptarë, ndarë nga shteti amë, ata do i harrojë e braktisë. Ne do të jemi gjithmonë pranë tyre! Ata janë pjesë e trupit tonë fizik e natyror. Vala radikale e luftënxitjes, spastrimeve dhe thyerjes së harmonisë mes kombeve, nuk do i shërbejë fqinjësisë së mirë e bashkëjetesës. Në Shqipëri e Kosovë, tërë sy e vesh, po ndjekim me shqetësim se deri ku do të shkojë ky “shpirt i keq” që maqedonasit nuk është hera e parë që nxjerrin në dritë dhe deri ku do të zhyten në krimet e tyre ndaj popullatës shqiptare në Maqedoni. Sot, ne, të gjithë bashkë, shqiptarë kudo ku ndodhemi, solidarizohemi të bashkuar në mbështetje të popullit shqiptar që jeton në Maqedoni.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel