PE apelon për qetësi në Maqedoni. Eurodeputetët: Hetim të plotë

13/05/2015 00:00

Të paqartë dhe jo njësoj të pasigurt, mbase, mbi informacionet e marra, por eurodeputetët shfaqen të bashkuar për të kërkuar qetësim të situatës në Maqedoni, hetim tërësor për të kuptuar çfarë ndodhi në të vërtetë në Kumanovë, këtë fundjavë, dhe mbi përgjegjësit që shkaktuan humbjen e jetëve njerëzore atje, të sundojë ligji dhe të japin llogari.

“Kjo ishte maja tragjike e krizës politike. Nuk është se lidhet direkt me krizën, por në një vend me krizë, shumë gjëra, shumë interesa dalin në sipërfaqe dhe i shoh këto zhvillime shumë serioze e tragjike për Kumanovën, si një kërcënim ndaj sigurisë së Maqedonisë, por edhe ndaj sigurisë rajonale”, tha, Ivo Vaigl nga Parlamenti Europian.

“Kam bërë fushatë për një kohë të gjatë në favor të Marrëveshjes së Ohrit dhe mbi planin e veprimit, sepse mbi marrëdhënien ndëretnike është bërë një progres i madh, pavarësisht, pengesave të dukshme dhe sfidave për arritjen e saj, por nuk ka pasur progres të mjaftueshëm për të pasur stabilitetin e domosdoshëm për këtë vend që t’ia dalë. Jam takuar me politikanë dhe aktorë vendas gjatë javëve dhe muajve të fundit duke paralajmëruar se paqëndrueshmëria politike kërcënon përparimin e vendit, kërcënon për rikthimin e dhunës. Patëm një fundjavë mjaft të keqe  dhe jam thellësisht i shqetësuar se kushtoi jetë njerëzish, por situata nuk duhet lejuar të dalë jashtë kontrolli”, u shpreh Richard Howitt, po nga Parlamenti Europian.

“Kryeministri Gruevski dhe ministri i Brendshëm thanë se kjo ishte një luftë kundër terroristëve të ardhur, ndoshta, nga jashtë, por nuk e di nëse janë vërtet apo jo nga ndonjë vend fqinj,  siç tha ai. Ndërkohë që 8 policë kanë vdekur dhe ne presim për informacione të mëtejshme, Parlamenti Europian bën thirrje për qetësi, sundim të ligjit dhe  kushdo që ka kryer krime, sigurisht, që duhet vënë para drejtësisë”, tha eurodeputeti Charles Tannock.

“Ne mendojmë se është me rëndësi të qetësohet situata dhe të stabilizohet. Ky është mesazhi kryesor i Bashkimit Europian, në mënyrë që të parandalohet çdo zhvillim i ngjashëm i mundshëm dhe gjithëpërhapja e destabilitetit, siç po ndodh aktualisht në Kumanovë”, tha eurodeputeti kroat Andrej Plenkoviç.

Pavarësisht parimit statutor të PPE-së, e djathta europiane shfaqet e kujdesshme në qëndrimet e saj për të mbështetur fort Kryeministrin Gruevski, në një kohë kur liberalët insistojnë që ngjarjet tronditëse të kësaj fundjave të debatohen në seancë plenare, me gjasë, javën e ardhshme, meqenëse socialdemokratët kanë dhënë pëlqimin e tyre  dhe madje pritet që një përfaqësi e të majtës europiane të vizitojë Shkupin këtë fundjavë, për të mbështetur partinë simotër maqedonase, në opozitë, e cila ka paralajmëruar mbajtjen e protestave masive kundër qeverisë Gruevski.

Përgatiti: Arta Tozaj

 

Top Channel