Pakistan, vriten 43 persona në Karaçi

13/05/2015 00:00

Komuniteti i myslimanëve shiitë në Pakistan ka marrë një goditje të rëndë me sulmin e kryer ndaj disa pjesëtarëve të tij në qytetin e Karaçit.

6 persona të armatosur dhe me motoçikleta ndaluan autobusin me besimtarë dhe hapën zjarr pa dallim mbi pasagjerët duke vrarë të paktën 43 vetë e duke plagosur 20 të tjerë.

Kryeministri Muhammad Nawaz Sharif e dënoi ashpër ngjarjen e urdhëroi nisjen e menjëhershme të një hetimi. Përgjegjësinë e sulmit e pretendoi një nëngrup i talebanit pakistanez, i quajtur Jundullah.

Rreth 60 persona ndodheshin në autobus në momentin kur mjeti ndaloi në zonën Safoora Goth, ndërsa ishte rrugës drejt një objekti kulti të shiitëve. Një zëdhënës i Jundullah-ut deklaroi se sulmi ishte ndërmarrë ndaj këtyre personave për shkak se konsiderohen jomuslimanë e kërcënoi me të tjera goditje në ditët në vazhdim ndaj ismailis-ëve, shiitëve dhe të krishterëve.

Top Channel