Basha, me të rinjtë e Korçës: Tërheqja e të inkriminuarve ka shkatërruar meritokracinë

13/05/2015 00:00

Çfarë i duhet Korçës? A është e kënaqur rinia atje me ndërtimin e një kulle, apo kërkon nxitje reale të punësimit? A u duhet të rinjve një qytet, administrata e të cilit drejtohet nga njerëz partiakë me precedentë kriminalë dhe të korruptuar, apo vendimmarrja duhet të jetë në bazë të meritës?

Këto ishin çështjet kryesore, gjatë bashkëbisedimit mes të rinjve të Korçës dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Plaga e madhe që kemi, 40% e të rinjve të papunë nuk mund të mos jetë prioriteti ynë numër një. Shiko çfarë rinie të aftë ka Korça! E pse është e nevojshme të merren kontigjentë të krimit, si ai i akuzuari për përdhunim, e të bëhet punonjës tatimesh?! Kjo qeveri nuk e njeh meritën, ky është problemi i madh, sepse kjo është një ndër rrënjët e së keqes. Ndalja e së keqes dhe ekuilibrimi i pushteteve janë zgjidhja. Nuk është zgjidhje të largohemi nga Korça, nuk është zgjidhje të largohemi nga Tirana, nuk është zgjidhje të largohemi nga Shqipëria”, tha Basha.

Për kandidatin e Korçës, Gjergji Mero, nxitja e vetëpunësimit me lehtësira fiskale është një zgjidhje për të rinjtë.

“Do të mbështes çdo nismë private për hapjen e vendeve të punës, për të cilat ka nevojë ky qytet dhe nuk ka nevojë për kulla. Në Korçë, gjatë këtyre dy viteve janë mbyllur 2600 biznese të vogla e të mesme. Duke u mbyllur ato kanë mbetur me mijëra familje të papuna, jo vetëm të bizneseve që janë mbyllur, por edhe të të punësuarve aty. Sot po largohen shumë njerëz të vetëpunësuar”, tha kandidati demokrat Mero.

Rinia do të jetë në fokusin e takimeve të kryetarit të Partisë Demokratike dhe kjo javë do të jetë një tur bashkëbisedimi me të rinjtë, sepse, duke e konsideruar veten si njërin prej tyre, Lulzim Basha i ka vënë shpresat e fitores te rinia.

“Sa herë që dinamika e zemrës së Partisë Demokratike ka ndjekur rrahjet dhe ritmin e zemrës së rinisë, ne kemi dalë fitimtarë”, tha më tej Basha.

Kur flitet për fitore, Korça, një kampione ende e pashpallur në futboll, që ka tifoz Gjergji Meron, ndihet superiore ndaj Tiranës, që ka tifoz Lulzim Bashën. Por, për të dy tani ka rëndësi rezultati i 21 Qershorit.

“Ndoshta juve të Tiranës nuk ju erdhi mirë, që e ‘morëm’ për herë të pestë titullin kampion, por prapë u ndamë miqësisht, sepse e lamë ndeshjen barazim me Tiranën, se ju kemi miq dhe ju premtojmë se, ashtu si ‘dolëm’ kampionë në futboll, do të dalim kampionë edhe më 21 Qershor”, tha kandidati demokrat Mero.

“Vetëm se më 21 Qershor do të dilni kampionë edhe ju, edhe doktor Halimi”, përmbylli fjalën e tij Basha.

Top Channel