Kosova, me banorët e “Don Boskos”: Qytetarëve do t’u kthejmë shpresën

13/05/2015 00:00

Në zonën e “Don Boskos”, banorët kanë dëgjuar për propozimin e Halim Kosovës për uljen e taksave dhe tarifave për bizneset e vogla dhe kërkojnë prej kandidatit demokrat të dinë më shumë për përfitimet. Por sipas Halim Kosovës, çdo lehtësim fiskal është i pamjaftueshëm, nëse shteti e trajton me armiqësi biznesin dhe qytetarin.

“Ajo që unë shoh dhe konstatoj çdo ditë është që kjo qeveri jo vetëm që ka rritur shumë taksa dhe kosto në kurriz të qytetarit, duke i pakësuar të ardhurat që i ngelin në xhep, ka rënduar biznesin duke i pakësuar mundësinë e punësimit. Por ajo që mua më tërheq vëmendjen është se nuk ka sensin e humanizmit karshi banorëve të saj”, tha kandidati demokrat Halim Kosova.

Në bashkëbisedimin me banorët e “Don Boskos”, bien në sy dëshmitë sesa shumë njerëz janë larguar nga zona për të kërkuar azil, për shkak të papunësisë, zhgënjimit dhe humbjes së shpresës. Halim Kosova thotë se, rikthimi i shpresës nëpërmjet punës është sfida e tij më e madhe dhe kjo është një arsye, përse ai e quan humbje kohe debatin me rivalët.

“Debatet i kanë ardhur në majë të hundës njerëzve dhe të gjithë e kemi të qartë, se ky vend nuk ka nevojë për debate, por ka nevojë për punë, punë e dinjitet”, theksoi Halim Kosova.

Halim Kosova u premton qytetarëve ndershmëri, që siç thotë vetë është pasuria më e madhe që ka. Dhe të njëjtën gjë, ai pret prej qytetarëve të Tiranës më 21 Qershor, pavarësisht presionit për blerjen e votës.

“Do të tregojmë të gjithë së bashku, se ky vend nuk është një vend i mallkuar, një vend që nuk bëhet, por që i ka të gjitha mundësitë të bëhet me një ilaç të vetëm: njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe me provat e duhura”, u shpreh Halim Kosova.

Top Channel