Veliaj: Në PD, të paaftë për punë

13/05/2015 00:00

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ftoi banorët e njësisë nr. 4 në kryeqytet që në 21 Qershor ta shfrytëzojnë pushtetin e votës për të përfituar shërbime më të mira dhe investime, për t’i dhënë drejtimin e duhur lagjeve të tyre.

Në dëgjesën e zhvilluar me ta, Veliaj tha se ka ardhur koha që në Bashkinë e Tiranës, pas 4 vitesh rrënim, të futet kultura e punës dhe të gjithë të kontribuojnë me dashuri për qytetin.

“Në Tiranë, që nga koha e Edi Ramës, ka 14 mijë poça. Në kohën e Lulit u dogjën 10 mijë poça, të cilët as nuk janë zëvendësuar. Kandili i tyre nuk mban më, ndaj në 21 qershor duhet të ndezim dritën tonë”, tha Veliaj.

Ai kujtoi se njësia nr. 4 nuk ka parë asnjë investim nga bashkia këto 4 vjet, edhe pse drejtohej nga Partia Demokratike. Sipas tij, ky është rasti që tregon se demokratët justifikohen kur thonë se i bllokon qeveria. “Po bashkinë e PD-së dhe minibashkinë PD-së kush i pengon që të ndihmojnë njëra-tjetrën? Thjesht janë të paaftë për të mbaruar punë”, u shpreh Veliaj.

“Në Shqipëri ngjyra e lëkurës nuk është kusht për të qenë i suksesshëm sepse ne besojmë se çdo djalë, vajzë, çdo i ri, çdo e re, çdo burrë dhe grua, nuk ka rëndësi se si e kanë ngjyrën e lëkurës, në Shqipërinë solidare të gjithë mund të të suksesshëm, të gjithë mund të jetojnë me dinjitet. Për ne nuk ka rëndësi prejardhja, mbiemri apo tesera e partisë. Kur ne qeverisim, e bëjmë për të gjithë njerëzit, ndaj besojmë se ka ardhur koha që ta çojmë Tiranës, të gjithë së bashku, në drejtimin e duhur”, tha Veliaj.

Gjatë takimit, banorët shprehën shqetësimet e tyre edhe për bllokimin e banesave sociale. Për këtë çështje, Veliaj kujtoi se janë rreth 400 banesa sociale që rrinë bosh dhe nuk shpërndahen për shkak se kryetari aktual është i paaftë dhe se një nga punët e para në bashki do jetë shpërndarja e këtyre banesave.

Top Channel