Erdogan në Tiranë: Do të dyfishojmë investimet turke. Shkupi të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

13/05/2015 00:00

Gjashtë vjet pas vizitës së fundit si kryeministër, Recep Taip Erdogan është rikthyer për vizitë zyrtare në Shqipëri, këtë herë si presidenti i Shtetit turk. Duke e nisur vizitën në Tiranë me nënvizimin se, ndihet si në shtëpinë e tij të dytë, presidenti turk e shfrytëzoi këtë mundësi për të folur jo vetëm për  Shqipërinë, por edhe për rajonin e Europën.

Me vlerësimin se lidhja mes popullit shqiptar dhe atij turk është shumë herë më e konsoliduar se marrëdhënia mes dy shteteve reciproke, Rexhep Taip Erdogan, që shoqërohet në këtë vizitë nga një delegacion tejet i gjerë prej 120 sipërmarrësish turq, u angazhua në Tiranë për rritjen më shumë se dy herë të vëllimit tregtar, që aktualisht arrin vlerën e 430 milionë dollarëve.

“Dëshira ime është që vëllimi tregtar mes Shqipërisë dhe Turqisë të jetë 1 milird dollarë në vit. Dhe vullneti për këtë ekziston në të dyja vendet”, tha Erdogan.

“Bashkarisht vlerësuam se ka hapësira ende të pashfrytëzuara për rritjen e volumit të shkëmbimeve tregtare”, tha nga ana e tij presidenti Bujar Nishani.

Presidenti Nishani shrytëzoi rastin në krah të Erdogan për të bërë një deklaratë për ngjarjet në Kumanovë. Dhe ashtu siç pritej, as presidenti turk nuk e shmangu mbajtjen e një qëndrimi për Maqedoninë.

“Bëj thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë, gjithësesi të izoluar, në një konflikt të paqenë ndëretnik. Dhe në vend të saj, përqendrimin e energjive në zgjidhjen e të gjitha çështjeve mes palëve me dialog, përfshirë këtu zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Orhit”, theksoi Nishani.

“Në Ballkan ka nga ata që duan të cënojnë paqen dhe sigurinë. Prandaj ne i kushtojmë shumë rëndësi paqes, stabilitetit dhe mirëqënies së Ballkanit. Prandaj ne dëshirojmë që acarimet e krijuara kohët e fundit në Maqedoni të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe të garantohet paqja që siguronte Marrëveshja e Ohrit. Turqia është një vend që ka vuajtur shumë nga terrorizmi dhe vazhdon ende procesi i luftës sonë kundër terrorit, që prej një periudhe 30-vjeçare. Ndaj e dimë shumë mirë faturën e luftës dhe nuk duam që një faturë e tillë të paguhet nga vende të ndryshme, nga popuj të ndryshëm, pavarësisht se çfarë feje ose etnie i përkasin. Kjo do të thotë se ne duhet të bëjmë një dallim të qartë të atij që fiton nga terrori dhe atij që humbet nga terrori. Në fakt humbasin të dyja palët, sepse lufta në fund të fundit është vdekje”, deklaroi Erdogan.

Thënë këtë, presidenti turk gjeti rastin që nga kryeqyteti i një vendi kandidat për në BE t’i dërgonte një mesazh edhe Europës, kur e kritikoi atë për pasivitetin në zgjidhjen e situatës së refugjatëve që vijnë nga vendet në konflikt si Iraku dhe Siria, 2 milionë prej të cilëve strehohen aktualisht në Turqi.

“Fatkeqësisht, duket qartë edhe se çfarë qëndrimi po mban Europa ndaj tyre. Unë e them këtë edhe si presidenti i një vendi kandidat për në BE. E them se jemi djegur prej këtyre gjërave. A mund të jemi të pandjeshëm ndaj këtyre njerëzve të varfër e të pastrehë? A nuk duhet që edhe vendet e zhvilluara të prodhojnë një zgjidhje për këta njerëz? Edhe këto vende kanë detyrimet e tyre. Secili vend të bëjë detyrat e veta”, tha Erdogan.

Mes Shqipërisë dhe Turqisë u nënshkrua marrëveshja në fushën e sigurisë, kundër terrorizmit e veçanërisht për të frenuar luftëtarët e huaj nga rajoni për t’iu bashkuar xhihadit islamik.

Presidenti turk iu referua dy herë shqiptarëve si “vëllezër të popullit turk”, në të parën herë kur tha se vendi i tij është i gatshëm të ofrojë eksperiencën më të mirë të zhvillimit; dhe në të dytin kur ftoi për përfundimin sa më shpejt të xhamisë së Tiranës, si dhuratë për vëllezërit shqiptarë.

Top Channel