Pak motivim për të mos abuzuar me solarin dhe rrezet diellore

13/05/2015 00:00

Nëse dikush ka nevojë për pak motivim për të mos e tepruar me solarët apo me qëndrimin nën rrezet e diellit pa mbrojtjen e duhur, ky është rasti.

Një 27-vjeçare amerikane, nënë dhe infermiere e diagnostikuar me kancer në lëkurë, postoi në rrjetet sociale një foto, si përpjekje për të ndërgjegjësuar të tjerët për të mos pësuar fatin e saj.

Tawny Willoughby nga Alabama thotë se ka përdorur 4-5 herë në javë solarin, pasi i ikte shpejt ngjyra.

Si pasojë, në moshën 21-vjeçare Tawny u diagnostikua me kancer në lëkurë. Që prej asaj kohe ka kaluar shtatë forma kanceri dhe tashmë i duhet të shkojë të paktën dy herë në vit tek dermatologu dhe në çdo rast diagnostikohet me një formë të re kanceri.

Muajin e kaluar, gjatë një seance të tillë për trajtimin e sëmundjes, 27-vjeçarja postoi një imazh me një shënim të gjatë, drejtuar të gjithë miqve të saj dhe kujtdo tjetër: “Nëse dikush ka nevojë për motivim për të mos e tepruar me solarët apo rrezet diellore, ja ku e keni! Kështu mund të dukeni gjatë një seance për trajtimin e kancerit të lëkurës. Keni vetëm një lëkurë dhe duhet të kujdeseni për të. Mësoni nga gabimet e të tjerëve!”.

Fotoja është shpërndarë me shpejtësi mijëra herë, por nuk kanë munguar edhe raportimet për imazhin ‘shqetësues’ në Facebook. Megjithatë, rrjeti social nuk e ka fshirë ende.

 

FOTO GALERI
1/3
Tawny Willoughby nga Alabama, para dhe pas diagnostikimit me kancer

Top Channel