Luis Enrique: Të fitojmë 3 kompeticionet ku jemi në garë

13/05/2015 00:00

Rikthehet në Spanjë me një humbje nga transferta e Mynihut, por do të luajë në finalen e madhe të Champions League. Trajneri i skuadrës katalanase, Luis Enrique, nënvizoi gabimet e shumta që ata bënë ndaj kampionëve të Bundesligës, por tha se duhet të ndjehen krenarë dhe të fitojnë 3 trofetë për të cilët janë në garë këtë fundsezoni.

“Ndeshja në pjesën e parë ishte nën kontroll, por në fraksionin e dytë bëmë gabime që mund të na kushtonin, më së shumti për shkak të lodhjes. Është një ndeshje për t’u mbajtur mend, sepse ia arritëm objektivit dhe tani duam të përfundojmë fushatën duke fituar Ligën e Kampioneve”, tha trajneri spanjoll.

“E detyruam kundërshtarin të na sulmojë në disa fronte dhe ndërmorëm rreziqe, për shkak se Bajerni tregoi që ka kapacitet të madh fizik, sidomos në pjesën e dytë, kur besoi se mund të arrinte përmbysjen. Tani synojmë tripletën, pasi jemi vetëm një fitore larg nga 3 kompeticionet ku jemi në garë”, tha Luis Enrique.

Barcelona e tij mund të zyrtarizojë titullin në kampionatin spanjoll brenda pak ditësh, ndërsa më pas do të luajë në finalen e Kupës së Mbretit me Athletic Bilbao, si dhe në finalen e Champions League në Berlin.

Top Channel