Ministri i Mjedisit, letër të hapur për kandidatët e 21 Qershorit

13/05/2015 00:00

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka kërkon prej kandidatëve të 21 Qershorit për kryetarë bashkie që t’i kushtojnë më shumë vëmendje mbrojtjes së mjedisit.

Përmes një letre të hapur, Koka u kujton kandidatëve se në bazë të ligjit për pushtetin vendor kanë përgjegjësinë dhe detyrimin për të ruajtur dhe mbrojtur mjedisin, për të siguruar vendgrumbullimet e mbetjeve, përpunimin e tyre etj.

“Duke marrë në konsideratë këtë moment tejet të rëndësishëm për mbarë vendin, dëshiroj të sjell në vëmëndjen tuaj rëndësinë e mjedisit, si faktor jetik në jetën e shqiptarëve, si baza e shëndetit publik dhe i standardeve të jetesës së qytetarëve. Për këtë arsye ju nxis publikisht që në programet që ju keni filluar të shpalosni përpara qytetarëve, duhet të përfshini dhe përmirësimin e situatës së mjedisit që shtrihet në territorin që ju do të administroni”, shkruan Koka.

Ministri kërkon që kandidatët në fushatë të shpalosin përpara qytetarëve programe të qarta se si do të kryejnë përmbushjen e detyrimeve ligjore për të siguruar një mjedis pastër e të shëndetshëm.

Ministria e Mjedisit shprehet e gatshme për të bashkëpunuar dhe kërkon po të njëjtën gatishmëri edhe nga kandidatët që pas 21 Qershorit do të jenë kryetarë.

“Puna jonë tregon që nëse vërtet punohet dhe ka frymë bashkëpunimi, kemi edhe shpresën për të përmirësuar mjedisin që na rrethon dhe që na e ka ofruar natyra shqiptare. U apeloj të gjithë kandidatëve, qofshin ata të majtë, të djathtë apo të pavarur, le të jetë kjo fushatë zgjedhore për pushtetin vendor një fushatë model duke trajtuar me seriozitet problemet e mjedisit, dhe të mos trajtohen vetëm si premtime, por të bëhen propozime konkrete dhe të ofrohen zgjidhje pas 21 Qershorit. Mjedisi nuk i përket asnjë spekteri politik, por të gjithë shqiptarëve”, thuhet më tej në letrën e hapur të ministrit të Mjedisit.

I pari që i është përgjigjur një apeli të tillë nga Ministria e Mjedisit ka qenë kandidati për Bashkinë e Kolonjës, Arben Malo.

“Unë zotohem publikisht që mjedisi, jo vetëm do të jetë pjesë programit tim për Kolonjën, por pas 21 Qershorit  do të angazhohem për largimin e mbetjeve  dhe pastrimin e qytetit sipas mënyrës europiane për pastrim-riciklimin dhe depozitimin e tyre. Gjithashtu do të promovojmë monumente të natyrës për të pasur sa më shumë vizitorë vendas dhe të huaj që do të shijojnë mrekullitë e Kolonjës”- shkruan Malo.

Top Channel