Vuçiç: Do të vizitoj Tiranën, të zgjidhim bashkë problemet

13/05/2015 00:00

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar nga kryeqyteti boshnjak, Sarajeva, se do të jetë në Tiranë më 27 maj, në një vizitë, siç ka thënë ai, që të mos ketë më ngjarje si Kumanova.

Ai ka thënë se ende ka njerëz të marrë që mendojnë se në rajon nuk duhet të ketë marrëdhënie të mira.

“Ne jetojmë së bashku, do do të jetojmë së bashku. Ne do të kemi një të ardhme të përbashkët dhe fatin tonë duhet ta rregullojmë vet”, ka deklaruar Vuçiç.

Mediat serbe kanë shkruar për vizitën e Vuçiç në Tiranë. Gazeta beogradase “Danas” vlerëson se në këto takime do të flitet edhe për projekte konkrete siç është autostrada deri në qytetin e Nishit, ndërsa theksojnë se as presidenti jugosllav, Josip Broz Tito nuk e ka vizituar Shqipërinë.

Safeta Bishevac, analiste e kësaj gazete, thotë se kjo vizitë do të hapë rrugën për bashkëpunime konkrete. Por, Vuçiç nuk do të kalojë pa kritika.

“Nacionalistëve nuk do t’u pëlqejë kjo, pasi do të donin që Beogradi e Tirana të mos kenë kurrë marrëdhënie për shkak të Kosovës. Por vizita është një lëvizje e mirë edhe për BE-në, por edhe për interesat e të dyja vendeve”, thotë Bishevac.

Vuçiç është ftuar në Tiranë, por prej disa mujash nuk dihej nëse kjo vizitë do të jetë në kuadër të aktiviteteve të tjera apo do të jetë vizitë zyrtare.

Top Channel