Komisioni Europian miraton agjendën për politikën e re të emigracionit

13/05/2015 00:00

Komisioni Europian aprovoi agjendën e një politike të re të emigracionit. Shefja e çështjeve të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka përcjellë në profilin e saj në Twitter të rejat e fundit mbi çështjen e shumëdiskutuar.

Agjenda e bllokut mbi emigracionin është adoptuar nga Komisioni, – shkruan Mogherini, e cila falenderon Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, zv.presidentin Frans Timmermans, si dhe komisionerin e çështjeve të brendshme dhe emigracionit, Dimitris Avramopoulos për atë që e cilëson një “punë të shkëlqyer skuadre”.

Përballë një emergjence dramatike, Europa më në fund e kuptoi se koha nuk premton më dhe këto javët e fundit ka hedhur hapa gjigantë duke u dhënë një përgjigje globale sfidave komplekse të emigracionit, – shkruan kryediplomatja europiane. Timmermans, nga ana tjetër, foli për propozime shumë ambicioze që rrjedhin nga diskutimet dhe kritikat e mëdha.

“Duam të asistojmë shtetet anëtare në mënyrë që t’i jepet fund kasaphanës humanitare e të ofrohen zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata të një fenomeni që nuk do të zhduket vetëm po nuk e përmende”, ishin fjalët e tij. Masat në fjalë janë këto: 20 mijë klandestinë që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare e që vijnë nga kampe refugjatësh në vende të treta, do të sistemohen nëpër Europë.

Nuk janë fiksuar ndërkohë numra për shpërndarjen e emigrantëve të zbarkuar tashmë, ndërsa përqindjet e vendeve pritëse do të jenë të ndryshme. Këto janë vetëm disa nga detajet e para të takimit të sotëm ku ka hedhur rrënjë kësisoj sistemi i kuotave.

“Duhet të jemi më solidarë mes nesh”, shkruante gjithashtu në Twitter kryetari i Komisionit Europian, Juncker. Skema e miratuar nga Komisioni duhet të marrë edhe miratimin e qeverive të vendeve anëtare. Propozimi i një zgjidhjeje përfundimtare do të prezantohet brenda fundit të majit.

Top Channel