Zyra e Komisionerit për të Dhënat Personale gjobit 17 “call center”

13/05/2015 00:00

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka ushtruar kontrolle për të verifikuar zbatimin e ligjit, në përfundim të të cilëve ka gjobitur 17 “call center”.

Sipas burimeve zyrtare të Zyrës së Komisionerit, janë identifikuar 278 subjekte që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Shqipërisë, subjekte që kanë të deklaruar në objektin e veprimtarisë së tyre edhe aktivitet në fushën e “call center”.

Gjatë periudhës mars-prill 2015, Zyra e Komisionerit ka realizuar hetime administrative në disa kompani të këtij sektori, që janë kontrollues të dhënash personale.

Në përfundim të procedurave përkatëse, është verifikuar shkelja e detyrimit ligjor për të njoftuar Zyrën e Komisionerit në lidhje me përpunimin e të dhënave personale. Kjo iniciativë e ndërrmarë është rezultat edhe i ankesave të subjekteve të të dhënave të depozituara.

Në përfundim, Zyra e Komisionerit ka gjobitur 17 subjekte të tilla, të cilët iu nënshtruan procedurës së hetimit administrativ.

Hetime administrative të Zyrës së Komisionerit janë realizuar edhe në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit me Autoritetin homolog në Republikën e Italisë, dokument i nënshkruar në muajin shkurt të këtij viti.

Top Channel