Promaqedonizmi shqiptar dhe antishqiptarizmi maqedonas

13/05/2015 00:00

Nga Arben MANAJ – Përtej konspiracioneve apo spekulimeve se përse ngjau ose kush përfitonte politikisht nga episodi i Kumanovës, një parakusht mbetet determinues. Troç, kemi të bëjmë me një sistem të kalbur politik, në një shoqëri me komplekse inferioriteti etnik, e me një mini-Putin, që mbahet në këmbë nga politikanët e pafytyrë, mëkatarë dhe të korruptuar shqiptarë të Maqedonisë.

Askush nuk mund të më mbushë mendjen se nuk janë dy partitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ato që kanë kyçin në dorë për autoritarizmin e Gruevskit dhe tërë politikat në thelb antishqiptare të atyre që drejtojnë Shkupin.

Kryepolitikanët shqiptarë në Maqedoni, përveçse dy drejtues me inate të vjetra personale mes tyre, kanë pangopshmëri përfitimesh e interesash okulte, që ka çuar në “heqje brekësh” ndaj shefave politikë e atyre të inteligjencës maqedonase, por edhe demonstrojnë një intolerancë tipike njerëzish prej më të prapambeturve të sojit ballkanik.

Ata janë prej vitesh në krye të dy parcelave, që realisht nuk është edhe se janë parti që drejtohen nga parime dhe interesa të mirëfillta etnike.

Është fatkeqësi që shqiptarët e Maqedonisë operojnë siç janë të ndarë nga dy fraksione të mëdha, që veç punë u prishin më shumë atyre që i votojnë sesa pushtetit maqedonas, që i përdor vazhdimisht në shkëmbim të favoreve që i hidhen elitës së partisë shqiptare që ofron shërbimin e ditës.

Është absurde në çdo këndvështrim politik që shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar nga një front i vetëm politik, i cili nëse do të ishte i unifikuar, jo vetëm do t’u shërbente më mirë interesave meskine të drejtuesve të tyre, interesa që për hir të së vërtetës janë arsyet e pluralizmit politik në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, por do t’i shërbente shumë më mirë edhe pozitës dhe gjendjes së të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë në atë republikë koktej.

Partitë politike shqiptare nuk janë në fakt “kingmaker” të Maqedonisë. Ato janë faktikisht shërbëtore të interesave politike maqedonase me këtë formë arkaike organizimi dhe rreshtimi politik. Ato shumë mirë mund të ishin “LSI-ja” e Maqedonisë, nëse do të ishin një front.

Jo vetëm do të ishin vendimtare për çdo vendim politik dhe qeveribërës, në atë vend, por do kishin çelësat e gjithçkaje dhe jo ato “të kashtës” që kanë tani për shqiptarët e thjeshtë.

Ky front panshqiptar do ishte dhe do luante një rol absolutisht shumë më pozitiv, qoftë për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por do e vinin pushtetin politik maqedonas dhe dy partitë kryesore maqedonase në zap, e autoritarizmi i sotëm i Kryeministrit as do kishte shans të lulëzonte.

Sakaq, për rrjedhojë Maqedonia do ishte shumë më ndryshe sesa sa është sot për nga brishtësia tipike etnike. Në Maqedoni nuk do kishte për të pasur episode si Kumanova e as do t’i shkonte kujt ndërmend të planifikonte apo thurte plane konspirative për të shpëtuar pushtetin e vet personal me shqiptarët e bërë “kokë turku” apo “mish për top”. Madje, as maqedonasit e tyre nuk do ëndërronin t’i bënin si shqiptarët.

Imagjinoni sa të avancuara do të ishin të drejtat dhe përfaqësimi i shqiptarëve, nëse ata do të ishin të përfaqësuar vetëm në një parti politike, që do të përcaktonte krijimin e çdo qeverie maqedonase dhe do të mund të vendosnin çdolloj çmimi për  stabilitetin politiko-etnik të vendit.

Por sot janë aty ku janë dhe përfaqësohen në atë formë, pasi nuk po arrijnë të bëjnë atë që kanë arritur serbët në Kosovë.

Andaj, për aq kohë sa Ahmeti dhe Thaçi përplasin kokën mes tyre,  Gruevski apo Zaev do bëjnë pallë me shqiptarët e korrupsionin dhe do bëhen akoma më autoritar se ç’janë, për të keqen e tërë vendit, por edhe në kurriz të interesave të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ka ardhur koha që Shqipëria dhe Kosova tandem me njëra-tjetrën të ushtrojnë një trysni dhe të kenë një vizion më egocentrik për interesat kombëtare të shqiptarëve, edhe si detyrime kushtetuese, por edhe ato eurointegruese.

Nuk është fjala për paternalizëm klasik, (edhe pse kjo është më se normale dhe e justifikueshme kur ikin pa kthim jetë shqiptarësh), por të sugjerojnë dhe punojnë nëse një unifikim politik dhe partiak i faktorit shqiptar në Maqedoni për interesa më madhore rezulton më efektiv sesa sot apo jo.

Tirana sidomos do të duhet të ndërhyjë dhe të bëjë diplomaci konstruktive, jo vetëm me një shtyrje të një vizite për një titull honorifik, siç ishte rasti i Ramës në Tetovë, por të ndërhyjë dhe të mbajë një qëndrim më të ashpër parimor edhe si vend i NATO-s dhe kandidat në BE.

Kjo pasi lajme të tilla nga Ballkani minojnë tej çdo parashikimi tek elitat burokratike të Brukselit dhe qarqet euroskeptike imazhin dhe kredibilitetin për të futur vende të reja nga gadishulli në BE.

E si mund të bindësh, ose si mund të mos i dalësh në shteg Kryeministrit britanik, Cameron, për shembull, në përpjekjet e tij, sidomos tani pas zgjedhjeve kur pritet që ai të rinegociojë marrëdhënien problematike të vendit të tij me BE, kur ai historikisht ka qenë i sinqertë dhe ka pretenduar se BE-ja do të duhet të forcojë kriteret e anëtarësimit dhe të mos gabojë siç veproi me Rumaninë dhe Bullgarinë.

Dhe padyshim se BE-ja, që dridhet nga një pulë e lagur si Greqia kur ajo kërcënon me dalje, e jo më nga Britania, lehtësisht mund t’ia japë këtë koncesion Londrës.

Lajmet nga Maqedonia janë të këqija për perspektivën e Ballkanit dhe cilido që punon apo bën skenarë për përfitime sado afatshkurtra të çdo natyre, me ngjarje të tilla, është dritëshkurtër politikisht, malinj për nga vizioni dhe ndëshkues për Brukselin dhe hezitimet e ndërkombëtarëve për një perspektivë më të qartë dhe hapa konkretë në integrimin e vendeve të rajonit.

Këto ngjarje, edhe pse ndihmojnë autokratët lokalë të gadishullit që lulëzojnë nga mosperspektiva euroatlantike, janë çmimi që ndërkombëtareve u kuotohet si sfidë, por që vetë nuk e paguajnë për brishtësinë politike të këtyre vendeve, si vende aspirante për në BE.

Maqedonia e sotme ekspozon shumë cenueshmëri dhe brishtësi, por shqiptarët dhe drejtuesit e tyre politikë me pro-maqedonizimin e tyre që çon në antishqiptarizëm faktik, kanë po aq përgjegjësi sa edhe elita sllavo-maqedonase.

Por shqiptarët, ndryshe nga sllavët e Maqedonisë, kanë një shans. Nëse e luajnë bukur, ata mund të afrojnë vendin më pranë normalitetit demokratik dhe bashkëjetesës reale mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke i bërë shanset e rajonit për aderim në BE shumë më reale sesa para asaj që ndodhi në Kumanovë.

Top Channel