Ligji për arsimin parauniversitar, debate për emërimin dhe shkarkimin e mësuesve

13/05/2015 00:00

Shoqëria civile ka kundërshtuar ndryshimet në nenin 60 të ligjit të arsimit parauniversitar, ku përcaktohet mënyra e emërimit dhe shkarkimit të mësuesve.

“Rreziku më i madh i arsimit sot është politizimi. Propozojmë dy alternativa, ose mbajtjen e nenit aktual duke rindërtuar komisionin përzgjedhës. Ose nëse jemi para faktit që kjo gjë do të aprovohet, komisioni që do të ngrihet pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale, përbërja e tij të përcaktohet në ligj”, tha Mentor Kikia, Alternativa civile.

“Ka një projekt të mirë ministria e Arsimit që e quan shkolla si qendër komunitare. Nëse ne i heqim një të drejtë për të ndikuar vendimmarrjen prindërve dhe mësuesve në vetë shkollë, atëherë çfarë komuniteti synojmë të fusim në shkollë. Pra, si mendojmë ne ta lidhim komunitetin me shkollën ndryshe, sepse bëhet demagogjike pastaj”, tha Suela Bala, “Save the children”.

Në kuadër të dëgjimit të grupeve të interesit, u debatua edhe për altertekstin. Shoqata e shkollave private kundërshtoi propozimin e qeverisë për tekstet unike, si mënyrë që i pret rrugën konkurrencës në këtë fushë. Por nga palët në këtë debat u hodhën edhe ide për një altertekst të pjesshëm, si kufizim në nurmin e teksteve apo tekste unike në lëndët e shkencave ekzakte dhe altertekste në shkencat shoqërore.

Top Channel