Kosovë, prokuroria me departament për krime lufte

13/05/2015 00:00

Kosova do të bëhet me departament për krime lufte dhe dhomë të veçantë të gjykatës që do të merret me gjykimin e rasteve të kësaj kategorie.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës këtë të mërkurë, ku u vendos për themelimin e këtij departamenti, i cili do të funksionojë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Patjetër që duhet të themelohet departamenti për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale. Mirë do të ishte të kishim dalë me propozim konkret nga Këshilli Prokurorial dhe komisioni parlamentar për formimin e dhomës së posaçme apo një gjykatë speciale, e cila do t’i përgjigjet kompetencave të prokurorisë”, deklaroi kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Themelimi i këtij departamenti po bëhet në kohën kur edhe Gjykata Speciale është në prag të themelimit, e cila do të trajtojë krimet e luftës.

Autoritetet në Prishtinë thonë se këto dy mekanizma nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën, pasi Gjykata Speciale ka raste specifike ndërsa Kosova do t’i trajtojë të gjitha rastet që hyjnë në kuadër të krimeve të luftës pa marrë parasysh kush janë të dyshuarit.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi bëri të ditur se në këtë drejtim është punuar që nga viti 2011, por ka pasur pengesa nga komuniteti ndërkombëtar.

“Arsyeja kryesore ka qenë se EULEX-i ka dashur që t’i mbajë në kompetencat e veta 100 për qind këto çështje dhe të mos i japë fuqi prokurorëve vendas. Por pas mandatit të fundit janë krijuar kushtet për një veprim të tillë dhe unë bësoj që tani kemi fuqinë që prokurorët tanë të merrën me ketë çështje. Kemi diskutuar edhe më herët në Bruksel themelimin e dhomës së veçantë të gjykatës që do të merret me të gjitha aktakuzat e Prokurorisë Speciale”, deklaroi Kuçi.

Prokuroria Speciale në kuadër të të cilës po themelohet departamenti për krime lufte është në përbërje të prokurorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Departamenti ka për detyrë të hetojë krimet e luftës, vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, krimin e organizuar etj. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në proces hetimi janë 17 raste të krimeve të luftës me gjithësej 71 të dyshuar.

Top Channel