Kosovë, universitetet publike pavarësohen nga UP

13/05/2015 00:00

Është nënshkruar të mërkurën në Prishtinë marrëveshja për ndarjen e universiteteve publike të Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës nga ai i Prishtinës.

Me këtë marrëveshje do të rregullohet përfundimisht çështja e lëvizshmërisë së stafit akademik, statusit të punëtorëve administrativë, studentëve, buxhetit dhe çështje të tjera të rëndësishme për funksionimin e universiteteve.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tha se ky dialog ishte jashtëzakonisht i mirë dhe se ky shembull tregon se vullneti dhe dialogu akademik tejkalon edhe atë politik.

“Tani ka ardhur koha që këto universitete të reja të konsolidohen dhe të pavarësohen nga Universiteti i Prishtinës përmes një dialogu, përmes një procesi, që ato gradualisht të marrin përgjegjësitë edhe për aspektet akademike, për aspektet menaxheriale dhe për financiare. Falë vullnetit të mirë të rektorit Zejnullahu kemi pasur një proces jashtëzakonisht pozitiv këto dy muaj të dialogimi, që këto dy universitete të shkëputen nga Universiteti i Prishtinës sa u takon studentëve, në mënyrë që të kenë studentët plotësisht rezidentë të tyre”, deklaroi Bajrami.

Ai shtoi se UP do të vazhdojë t’i përkrahë këto universitete me staf, ku çdo profesor ka mundësinë që të zgjedhë një ditë punë dhe të mbajë ligjërata më së shumti 6 orë në njërin nga këto universitete. Një gjë e tillë, sipas Bajramit, u bë pasi këto struktura arsimore kanë nevojë edhe më tej për përkrahjen e UP-së.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu vlerësoi se kjo ditë është e veçantë sepse çon drejt stabilizimit të universiteteve dhe kjo ngjarje nuk është e rëndësishme vetëm për UP-në, por do të jetë i rëndësishëm edhe për institucionet të cilat janë në themelim. Sipas tij, do të kalojë një kohë e gjatë deri në stabilizimin e tyre në aspektin e kapaciteteve për mësimdhënie.

“Natyrisht që do të duhet një kohë e gjatë deri sa të stabilizoheni në aspektin e kapaciteteve tuaja për mësimdhënie, sepse statistikat të cilat disponojmë aktualisht tregojnë që aty çalohet. Por çdo fillim është i vështirë dhe mendoj që me një përkushtim të përbashkët dhe me një përkrahje të shtetit dhe Ministrisë së Arsimit, ne do t’ia dalim që ndoshta pas një kohe të caktuar, ndonjëri nga këto universitete do të jetë më shumë i lakmuar se Universiteti i Prishtinës sot. Flas për drejtimet e caktuara, për programe të caktuara në të cilat ju duhet të fokusoheni që t’i ndërtoni në mënyrë të veçantë në aspektin cilësor dhe në atë të kërkesave të tregut, të cilat shpresojmë që në një të ardhme të afërt do të shkojnë duke u rritur”, tha Zejnullahu.

Ndërsa, rektorët e këtyre tri universiteteve u shprehën të kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe thanë se do të tregojnë edhe më tej interesin për bashkëpunim me UP-në dhe me universitetet tjera.

Top Channel