Shteti Islamik goditet sërish, vdes zëvendësi i përkohshëm i al-Baghdadit

13/05/2015 00:00

Ministria irakiane e Mbrojtjes ka bërë të ditur gjatë kësaj të mërkure se sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara kanë shkaktuar viktimën e radhës mes krerëve më të lartë të Shtetit Islamik, e pikërisht zëvendësin e liderit të ISIS.

Abdul Rahman Mustafa Mohammed, i njohur gjithashtu edhe si Abu Alaa al-Afri, ka qenë brenda një xhamie në Tal Afar, e cila është kthyer në një shënjestër e sulmeve ajrore, e nuk ka mundur të mbijetojë, bën të ditur zëdhënësi irakian Tahsin Ibrahim.

Mësohet se ai ka qenë duke u takuar me dhjetëra militantë, të cilët gjithashtu kanë mbetur të vdekur nga goditja ajrore. Gjatë javëve të fundit, ka pasur raportime të pakonfirmuara se Afri kishte marrë drejtimin e përkohshëm të operacioneve të Shtetit Islamik, pasi edhe udhëheqësi më i lartë i xhihadistëve raportohet të jetë plagosur dhe në gjendje të rëndë prej muajit Mars.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit ofroi një shpërblim deri në 7 milionë dollarë për informacione mbi vendndodhjen e Afrit, të cilin DASH e identifikoi si Abdul Rahman Mustafa al-Qaduli.

Top Channel