Arsimi fillor, baza e zhvillimit ekonomik. Shqipëria, e 63-ta në renditjen e OECD-së

13/05/2015 00:00

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) publikoi renditjen më të detajuar të kryer ndonjëherë në shkallë globale për sistemin arsimor fillor. Vendi ynë radhitet i 63-ti nga 73 vendet ku u krye hulumtimi.

Renditja është hartuar në bazë të studimit të lëndëve që marrin fëmijët deri në moshën 15-vjeçare. Në të theksohet se mirëarsimimi deri në moshën 15-vjeçare siguron një rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Sipas studimit të OECD-së, nëse në vendin tonë sistemi arsimor do të jetë në gjendje që t’u ofrojë nxënësve nën 15 vjeç njohuritë bazë në fusha të caktuara, prodhimi kombëtar do të rritej me 926 për qind përgjatë 5-6 dekadave të ardhshme.

“Arsimi është një parashikues i fuqishëm i mirëqënies dhe i asaj që një vend i caktuar do të prodhojë në të ardhmen në një periudhë afatgjatë. Politikat dhe praktikat e dobëta në edukim shkaktojnë në shumë vende rënie të vazhdueshme ose rritje të paqëndrueshme ekonomike”, vlerëson OECD.

Në krye të tabelës janë të vendosura katër vende aziatike, me Singaporin që udhëheq, ndjekur nga Hong-Kongu, Koreja e Jugut dhe Japonia, ndërkohë që në fund radhitet Omani dhe Gana.

Shembulli më i saktë për të ilustruar rolin e arsimimit në zhvillimin ekonomik është pikërisht Singapori. Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, ky vend aziatik bënte pjesë mes vendeve me përqindjen më të lartë të popullsisë analfabete, por përmes reformave të gjithanshme, sot ndodhet në krye të tabelës sa i përket arsimimit fillor.

Top Channel