Nepal, qindra ushtarë dhe 6 helikopterë, në kërkim të helikopterit të rrëzuar

13/05/2015 00:00

Qindra trupa ushtarake të Nepalit nisën kërkimet për helikopterin e Marinës amerikane me 8 persona në bord gjatë së mërkurës, vetëm një ditë pasi një tërmet i dytë i fuqishëm brenda 3 javësh goditi vendin dhe shkaktoi dhjetëra të vdekur pas panikut të qytetarëve, që dolën jashtë banesave.

Shteti i vendosur nën Himalaje ende nuk e ka marrë veten nga tërmeti shkatërrimtar i muajit të kaluar i magnitudës 7.8, që la mbi 8000 viktima dhe plagosi mbi 20 mijë të tjerë.

Helikopteri amerikan ishte duke shpërndarë ndihma në Dolakha, një prej qarqeve më të goditura nga të dy tërmetet, por gjatë orëve të vona të së martës humbi gjyrmët, teksa raportohet se ka pasur 6 marinsa amerikanë dhe 2 ushtarë nepalezë në bord.

Në kryeqytetin e këtij rajoni, Charikot, helikopterët e ndihmave dhe ato ushtarakë sollën personat e plagosur gjatë tërmetit të dytë, për trajtime më të specializuara mjekësore.

Ndërkohë, 6 helikopterë të tjerë u janë bashkuar qindra trupave tokësore në kërkim të helikopterit të zhdukur. “Nga informacionet që kemi, dimë se ai ka rënë në një prej lumenjve, por asnjë prej trupave të këmbësorisë nuk ka gjetur gjurmë të tij”, tha Major Rajan Dahal, zëvendëskomandanti i Bataljonit të Barda Bahadur. “Ndodhen mbi 400 trupa tokësore në kërkim të tij dhe besoj se do të gjendet brenda kësaj nate”.

Top Channel