Mitko Çavkov do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme në Maqedoni, ndërsa Vllado Misajllovski Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.

Me 71 vota pro, Kuvendi zgjodhi ministrat e rinj që do të zëvendësojnë Godana Jankullovskën dhe Mile Janakievskin. Para votimit, kryeministri Nikolla Gruevski dha para deputetëve arsyet për dorëheqjet.

Ai tha se Gordana Jankullovska, Mile Janakievski dhe Sasho Mijallkov kanë ofruar dorëheqjen për të kontribuar në normalizimin e situatës dhe për të evituar thellimin e mëtejshëm të krizës politike që u shkaktua nga skandali i përgjimeve.

Për ministrat e rinj, Gruevski tha se beson në kapacitetet e tyre për të zbatuar me përpikmëri projektet e qeverisë.

“Në vend të Jankullovskës dhe Janakievskit propozoj po ashtu njerëz të aftë dhe të dëshmuar. I bindur se do të japin rezultate të shkëlqyera në punën e tyre, ju lutem që të jepni përkrahjen për këto dy propozime për ministra në qeverinë e Repulikës së Maqedonisë”, u apeloi Gruevski deputetëve.

Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në një konferencë për shtyp tha se dorëheqjet konfirmojnë veprimet kriminale të bashkëpunëtorëve të Gruevskit, që u zbardhën nga opozita përmes bisedave të përgjuara. Megjithatë, Zaev theksoi se për t’u rikthyer normaliteti në vend duhet të largohet kryeministri Gruevski.

“Nuk është koha për triumfe. Qëllimi ynë kryesor nuk janë dorëheqjet e bashkëpunëtorëve më të afër të Gruevskit. Qëllimi ynë është kthimi i lirisë dhe demokracisë. Që të ndodhë një gjë e tillë është e nevojshme të largohet Nikolla Gruevski. Presim që dorëheqjet nga institucionet të vazhdojnë”, tha Zaev.

Por pavarësisht këmbënguljes së opozitës për largimin e Gruevskit, ky i fundit në fjalën e tij para deputetëve të mërkurën nuk dha asnjë sinjal se është duke menduar për të ofruar dorëheqjen.

Tre bashkëpunëtorët më të afërt të tij, Jankullovska, Janakievski dhe Mijallkov e dhanë atë pas aksionit policor në Kumanovë, ku mbetën të vrarë 22 persona.

Sipas opozitës, ata ishin zyrtarët për të cilët skandali i përgjimeve dëshmoi se kanë qenë funksionarët që kanë kryer më së shumti veprime kriminale dhe antiligjore gjatë qeverisjes së Gruevskit.

Top Channel