Meta në Vorë: Zonë me potencial të madh zhvillimi

13/05/2015 00:00

I pranishëm në një takim të strukturave të Lëvizjes së Gruas për Integrim në Vorë, kreu i LSI-së Ilir Meta, së bashku me kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku, theksoi rëndësinë e kësaj zone.

“Është zona e tillë që ka mundësi për të hapur fabrika të reja, për të hapur qendra të rëndësishme të përpunimit, sepse është pozicioni i tillë që ofron një kosto jashtëzakonisht interesante dhe me leverdi për çdo lloj investimi, si në drejtim të bujqësisë, agro-përpunimit apo eksporte, ashtu edhe në drejtim të industrisë”, deklaroi Meta.

Kryetari i LSI-së shprehu mbështetjen e institucioneve shtetërore për bizneset dhe për gjenerimin e vendeve të reja të punës, ku do të angazhohen edhe shumë gra dhe vajza nga zona e Vorës.

“Ne jemi këtu për këtë gjë, që t’ju japim fjalën se deri në vitin 2017 nuk do të ketë grua dhe vajzë në Vorë që nuk do të ketë vendin e punës, nëse do të punojë”, tha Meta.

Po ashtu, ai vlerësoi reformën administrativo-territoriale, teksa theksoi se për nxitjen e investimeve nevojitet bashkëpunim më i ngushtë midis qeverisë dhe njësive vendore.

Top Channel