Gjykata Speciale, opozita dhe shoqëria civile e kundërshtojnë

13/05/2015 00:00

Partitë opozitare dhe shoqëria civile në Kosovë janë kategorikisht kundër formimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë krimet e supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në një tryezë të ftuar nga Vetëvendosje, deputetë të partive opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile bënë ftesë që të votohet kundër formimit të gjykatës, ndërsa vlerësuan se Këshilli i Sigurimit nuk mund të miratojë një gjykatë të tillë për Kosovën.

“Në vitet në vijim, po u themelua kjo Gjykatë Speciale, përdorimi i termave Kosovë e UÇK në të njëjtën fjali me termat krim, krim lufte, genocid, krim kundër njerëzimit, trafikim organesh, do të përhapet pafundësisht e globalisht nëpër media të ndryshme anembanë botës. Kjo do të jetë tejet e dëmshme për imazhin dhe reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, ky është një hap prapa që po i ndodh Kosovës, 16 vjet pas Çlirimit dhe 7 vjet pas shpalljes së Pavarësisë”, tha Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes.

“Krijimi i kësaj gjykate po kërkohet mbi bazën e pretendimeve të raportit të Dick Martyt. Raporti i tij mbështetet kryekëput në gënjeshtrën e sajuar serbe mbi luftën në Kosovë. Kjo do të thotë se i gjithë raporti i Dick Martyt, mbi bazën e të cilit është bërë edhe hetimi i kryeprokurorit Ëilliamson, kanë materiale që i kanë marrë nga Serbia, ose shkrime që janë bërë nga njerëz, me gjasë edhe ata të paguar nga Serbia”, tha Jakup Krasniqi, nga “Nisma për Kosovën”.

“Kombet e Bashkuara kanë pasur një gjykatë deri në vitin 1999 dhe nuk mund të krijojnë një tjetër gjykatë, që ka një mandat të ngjashëm me atë të kaluarën, prej 1998-s deri në vitin 2000. Dhe për shkak se Kombet e Bashkuara nuk mund ta krijojnë këtë gjykatë, po këmbëngulin në mënyra të ndryshme, që Kosova ta krijojë vetë gjykatën, brenda Kosovës”, tha Besa Shahini, nga “Nisma Evropiane për Stabilitet”.

Edhe pse përfaqësuesit opozitarë po e kundërshtojnë formimin e Gjykatës Speciale, amendamentet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë formimit të saj, të mërkurën janë miratuar në Komisionin për Legjislacion dhe janë proceduar për në seancë.

Gjatë ditëve të ardhshme pritet, që udhëheqësit e institucioneve kosovare të harmonizojnë qëndrimet me Brukselin edhe për ligjin për Gjykatën Speciale, dhe në një seancë të ardhshme pritet miratimi njëherazi i amendamenteve kushtetuese dhe i ligjit për Gjykatën Speciale.

Top Channel