“Eurovision”, sa shumë kritika për veshjet e shqiptarëve në vite

13/05/2015 00:00

Përfaqësimi në një eveniment si “Eurovision” është shumë i rëndësishëm dhe, përveç vlerësimit kryesor që shkon për këngën dhe performancën e saj, element tjetër i rëndësishëm është edhe veshja.

Prej 2004-s, me pjesëmarrjen e Anjeza Shahinit, Shqipëria shkel këtë skenë sivjet për të 11-n herë me Elhaida Danin. Dhe, pjesë e diskutimeve, kritikave dhe polemikave për këngën, së fundmi është bërë edhe veshja, që do të mbajë artistja shqiptare në “Eurovizion”.

Dhe jo pak herë, Shqipëria është vënë në qendër të vëmendjes së kritikave ndërkombëtare, pikërisht për shkak të këtij elementi. Kjo, duke nisur që nga përfaqësimi i parë, ku mediat ndërkombëtare nuk kanë kursyer kritikat për veshjen e Anjeza Shahinit.

Por, kulmi i kritikave negative është arritur me veshjen e Rona Nishliut, në përfaqësimin e vitit 2012, e cila kryesoi listën për çmimin “Barbara Dex”. Një çmim humoristik, që jepet në këtë festival ndërkombëtar për veshjen më të keqe.

Emrin, ky çmim e ka marrë nga artistja belge, Barbara Dex, e cila në garën e vitit 1993 u paraqit me një veshje shumë të keqe, në këtë eveniment muzikor. Për këtë çmim, Rona mori plot 829 vota nga 2851 votues, duke lënë pas vende si Irlanda, Bullgaria, Holanda etj.

Në vitin 2013, këngëtarja serbe Maria Sherifoviç ka kritikuar ashpër përfaqësuesit shqiptarë në këtë festival. Maria, fituese e festivalit europian në vitin 2007, ka lëshuar komente shumë negative mbi përfaqësimin e shqiptarëve në “Euro song contest”.

Ka qenë portali serb “Kurir”, i cili raportoi mbi fyerjet e këngëtares edhe në lidhje me veshjen dhe performancën e përfaqësuesve tanë, Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko.

Kritika e brendshme dhe ndërkombëtare nuk ka dhënë vlerësim pozitiv, as për veshjen e Kejsi Tolës, në “Eurovision”-in e vitit 2009. Tentativa për të mos e larguar Kejsin nga mosha e atëhershme 16-vjeçare, u konsiderua një dështim.

Megjithatë, edhe pse nuk kemi shkuar në majën e “top list”-ave me kritika pozitive, veshje të denja në “Eurovision” ka pasur Juliana Pasha, Frederik Ndoci, Aurela Gaçe.

Pavarësisht të shkuarës, të shohim nëse Shqipëria do të godasë me veshjen në këtë edicion të “Eurovision”-it…

Top Channel