Merr fund “La Liga” për Ancelottin. Dy javë pezullim për duartrokitjet ironike

13/05/2015 00:00

Në pritje të sfidës së “Bernabeu”-t mes Realit të Madridit dhe Juventusit, pas së cilës do të vendoset se cili do të jetë sfiduesi i Barcelonës në finalen e Champions League, më 6 qershor në Berlin, një gjë është e përcaktuar qartë: La Liga ka përfunduar për Carlo Ancelottin.

Kjo nuk ka të bëjë aspak me distancën prej 4 pikësh, që ekziston mes Realit të drejtuar nga trajneri italian, dhe Barcelonës së Luis Enriques, kur kanë mbetur dy javë nga fundi i sezonit, por kanë qenë pikërisht duartrokitjet ironike në fund të sfidës me Valencian kundër gjyqtarit Clos Gomez.

Një ironi, që i ka kushtuar shtrenjtë Ancelottit, i cili është dënuar me dy ndeshje skualifikim, gjë që do ta detyrojë atë t’i vëzhgojë nga tribuna 180 minutat e fundit të “Los Blancos”-ve kundër Espanyol dhe Getafe.

E megjithatë nuk mungojnë edhe supozimet “fatale” të mediave italiane, sipas të cilave, ndeshja e kthimit me Juventusin në “Bernabeu” mund të rezultojë edhe e fundit për teknikun italian në Madrid, në rast se nuk do të kualifikohen për në finalen e Championsit.

Top Channel