Diplomati Bashkim Rama do të jetë i ngarkuari me punë në Maqedoni. Mungesës së përfaqësimit për një kohë të gjatë në nivel ambasadori në shtetin fqinj, me interesa të veçanta për ne, Ministria e Jashtme ka vendosur ta zgjidhë përmes të dërguarit me punë, që në mungesë të ambasadorit është niveli më i lartë i përfaqësimit.

Bashkim Rama, një diplomat karriere, spikat si njohës shumë i mirë i rajonit, e veçanërisht i Maqedonisë, ku edhe ka shërbyer për shtetin shqiptar disa vjet më parë.

Pas një seri angazhimesh si diplomat në rajon dhe jo vetëm, Bashkim Rama së fundmi ka mbajtur postin e drejtorit të rajonit pranë Ministrisë së Jashtme.

Ai merr detyrën në një moment të vështirë të krizës në Maqedoni, që morën një trajtë dramatike me zhvillimet në Kumanovë. Konflikti politik mes Presidencës dhe Ministrisë së Jashtme la për disa muaj të papërfaqësuar Shqipërinë me ambasador në Maqedoni.

Ashtu si edhe në raste të tjera, presidenti nuk e miratoi emrin e Fatos Rekës si i propozuar nga Ministria e Jashtme për ambasador në Shkup, pasi sipas tij, emërimi i tij nuk ishte konsultuar me të.

Top Channel