Veliaj: T’u japim fund 4 viteve të humbura. Më 21 Qershor të ndëshkojmë karagjozët

13/05/2015 00:00

Njësia numër 9 në kryeqytet ishte ndalesa e radhës për kandidatin e majtë Erion Veliaj, i cili tha se në këto 4 vitet e fundit Tirana ka humbur shumë kohë.

Janë banorët e Tiranës, tha Veliaj, ata që duhet t’i japin fund më 21 qershor kësaj situate të shkaktuar, sipas tij, nga Lulzim Basha.

“Njerëzit seriozë i çojnë gjërat në fund, nuk i lënë rrugëve. Duhet të vendosim, më 21 Qershor do të vëmë këta karagjozë që justifikohen se nuk bëjnë dot asnjë punë, apo do të vëmë njerëz seriozë që kanë treguar se me punë ecet përpara dhe që mund ta çojnë Tiranën në drejtimin e duhur? Ne duhet të vendosim, nëse duam një kryetar bashkie që thotë vetëm ‘s’bëj dot punë se s’më lë ky, apo ai’. Duam një kryetar që justifikohet, apo një që punon dhe vetëm punon”, iu drejtua Veliaj të pranishëmve.

Duke folur për kandidatit rival Halim Kosova, Erion Veliaj u tha banorëve të njësisë 9 se zoti Kosova po bën një fushatë të vetmuar, duke dhënë këtë shpjegim: “Kanë kaq ditë që e lënë kandidatin e tyre vetëm, sepse s’guxojnë t’u afrohet njeri. Sepse të gjithë njerëzit u kujtojnë premtimet e pambajtura. Lulit i thonë njerëzit se është një mashtrues që iku tek partia, ndërsa atyre u tha se do të shkonte tek bashkia. Asnjë vit ai nuk u ka shërbyer banorëve të Tiranës, ja pse nuk del”.

 

Top Channel