Turqi, dhunohet statuja e princit që bën “selfie”

13/05/2015 00:00

Një statujë e vendosur në qytetin Amasya në veri të Turqisë, ku shihet një princ i Perandorisë Osmane duke bërë “selfie”, ka irrituar vendasit, të cilët e kanë dhunuar atë. Qytetarët kanë thënë se statuja “është një turp dhe duhet të hiqet sa më shpejtë të jetë e mundur”.

“Të gjithë e dinë se në atë kohë nuk kanë ekzistuar celularët. Mendoj se kjo statujë është një fyerje për historinë tonë. Autoritetet t’i thërrasin mendjes dhe ta largojnë, ndryshe do të vazhdojmë të veprojmë ne”, tha një qytetar.

Megjithatë, autoritetet nuk duan të tërhiqen, duke autorizuar policinë lokale të kujdeset për statujën, që për ta shërben për të tërhequr turistët. “Statuja nuk fyen askënd dhe është menduar si një atraksion turistik. Fatkeqësisht, statuja është dëmtuar, por tani e tutje do të jetë policia ajo që do kujdeset për të”, u shpreh një zyrtar.

Statuja është dëmtuar në pjesën e celularit, me të cilën princi duket sikur bën “selfie”. Shumë turistë kanë realizuar foto pranë kësaj statuje, që tani nuk e ka pjesën e celularit, por që, sipas autoriteteve, do të rregullohet shumë shpejt.

 

FOTO GALERI
1/2

Top Channel