Dalja e trenit nga shinat në Filadelfia, shkon në 7 numri i viktimave

13/05/2015 00:00

Prokurorë federalë kanë marrë në duar të dhënat e kutisë së zezë të rikuperuar nga rrënojat e një treni të kompanisë “Amtrak”, të dalë nga shinat në Filadelfia, për të përcaktuar nëse ka qenë  apo jo tejkalimi i shpejtësisë shkaku kryesor i përplasjes, që shkaktoi të paktën 7 viktima dhe plagosi mbi 200 të tjerë.

Shpejtësia është një prej faktorëve të mundshëm, që Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka marrë nën shqyrtim. Por, analistë të “Reuters” thonë se pas analizimit të kamerave të sigurisë, është zbuluar se treni ka qenë duke udhëtuar me mbi 80 km në orë, që është edhe limiti i shpejtësisë së lejueshme përgjatë vendit ku ka ndodhur aksidenti. Sipas kësaj analize, treni me destinacion Nju Jorkun mund të ketë qenë me të paktën 78 km/h dhe maksimumi 98 km/h, bazuar mbi kamerat e sigurisë të një biznesi pranë vendit të aksidentit. Pamjet në fjalë janë publikuar edhe nga CNN.

Ndërkohë, më herët “Wall Street Journal” kishte raportuar se treni mund të kishte qenë me 161 km në orë, kur doli nga shinat në një kthesë të fortë, duke u bazuar në deklaratat e dy personave në dijeni të hetimeve.

Në një konferencë për shtyp të pak orëve më parë, Robert Sumwalt, anëtar i bordit të NTSB-së, tha se hetuesit do të fokusohen edhe te kushtet e shinave dhe pajisjeve të tjera, trajnimin e ekuipazhit dhe performancën e stafit prej 5 anëtarësh, ashtu sikurse dhe shpejtësinë e trenit.

Shërbimi hekurudhor i pasagjerëve përmes Korridorit Verilindor të Amtrakut, linja më e ngarkuar e vendit me rreth 12 milionë pasagjerë në vit, është ndalur menjëherë, duke i lënë udhëtarët në telashet e gjetjes së alternativave të tjera të udhëtimit.

Rreth 15 orë pasi treni numër 188 i kompanisë “Amtrak”, me 243 persona në bord doli nga shinat, rreth orës 02:30 të mesnatës së të mërkurës, punonjësit e kërkim-shpëtimit nisën zhvendosjen e pjesëve të metalta dhe rrënojat e tjera.

Spitalet e zonës së Filadelfias raportuan se kishin marrë për trajtim mbi 200 persona. Kryebashkiaku i Filadelfias njoftoi gjatë një konference për shtyp se 7 persona janë konfirmuar të vdekur, por autoritetet ende nuk kanë thënë fjalën e fundit për të gjithë personat që ishin në bord.

Top Channel