Zaev publikon të tjera përgjime: Ja aferat mes VMRO-DPMNE dhe BDI-së

13/05/2015 00:00

Kreu i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev ka publikuar një sërë bisedash të përgjuara midis zyrtarëve të qeverisë maqedonase, që sipas tij dëshmojnë bizneset e paligjshme mes funksionarëve të VMRO-DPMNE dhe BDI, që përbëjnë koalicionin qeveritar në Shkup.

Sipas liderit social-demokrat, në disa nga materialet audio dëgjohet zv.kryeministri Musa Xhaferi dhe ish-shefi i shërbimit sekret Sasho Mijallkov duke biseduar për ndarjen e bizneseve ilegale mes partnerëve të koalicionit.

Në një tjetër bisedë që sipas Zaev zhvillohet mes ish-ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe ministrit të Shëndetësisë Nikolla Todorov, ata degjohen duke folur për shpenzimin e 400 mijë eurove në mënyrë të paligjshme nga Bujar Osmani i BDI, gjatë kohës kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

“Deri më sot qytetarët nuk janë informuar nëse ka dhënë dikush llogari për këtë aferë. VMRO-DPMNE e mbron Bujar Osmanin. Duket qartë se marrëdhëniet në biznes dhe koalicioni i tenderave midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kanë funksionuar më mirë se Kushtetuta dhe ligjet në Maqedoni”, deklaroi Zaev.

Lideri i opozitës maqedonase publikoi edhe një bisedë të përgjuar telefonike, me të cilën sipas tij dëshmohet se kryeministri Gruevski ka blerë me paratë e Ministrisë së Brendshme një veturë me vlerë rreth 600 mijë euro.

Nga ana tjetër, disa media në Shkup kanë publikuar një video ku sipas tyre lideri i opozitës, Zoran Zaev shihet duket kërkuar një ryshfet prej 200 mijë eurosh. Sipas të njëjtave media, lideri i opozitës në video pranon përfshirjen e tij në afera të ndryshme korruptive.

Top Channel