La Liga, të enjten vendimi për grevën

13/05/2015 00:00

Të enjten do të kuptohet nëse këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e parafundit në kampionatin spanjoll ose jo, pasi Gjykata e Lartë e shtetit iberik do të shpallë vendimin e saj.

Çështja ka arritur deri në këtë pikë, pasi nuk kishte një marrëveshje mes Shoqatës së Futbollistëve Spanjollë dhe Ligës së Futbollit Profesionist në këtë shtet.

Gjithçka ka filluar pas vendimit të Qeverisë spanjolle që miratoi projektiligjin për shpërndarjen e të drejtave televizive, që favorizonte skuadrat e vogla, duke i hequr miliona Realit dhe Barcelonës që merrnin pjesën më të madhe të “tortës”.

Shoqata e Futbollistëve Spanjollë, e përkrahur edhe nga Federata e Futbollit të këtij vendi, paralajmëruan një grevë që do fillojë më 16 maj, duke lënë pezull dy javët e fundit të kampionatit spanjoll. Presidenti i Ligës së Futbollit, Javier Tebas e ka quajtur grevën abuzive si dhe me pasoja, pasi La Liga mund të mbyllet pa luajtur dy javët e fundit.

Gjykata e Lartë e Spanjës ka dëgjuar të dyja palët si dhe ka paralajmëruar se vendimi do shpallet të enjten. Disa futbollistë si kapiteni i Realit, Iker Casillas dhe mbrojtësi Sergio Ramos kanë qenë “pro” grevës, dhe në përkrahje të Shoqatës së Futbollistëve.

Top Channel