Vatikani njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, reagon diplomacia izraelite

13/05/2015 00:00

Vatikani ka finalizuar këtë të mërkurë një traktat, nëpërmjet të cilit e bën të qartë se Selia e Shenjtë e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, jo Organizatën Çlirimtare të Palestinës (PLO), institucioni që përfaqëson palestinezët në arenën ndërkombëtare, sidomos në vendet që nuk e njohin ende shtetin më vete.

Sipas “Associated Press”, procesi i negociatave për këtë traktat ka nisur fillimisht me PLO-në, por pikërisht ky ndryshim përcaktimi konstituon tashmë njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës. Ratifikimi i traktatit pritet të jetë thjesht një formalitet.

“Po, është njohje zyrtare e ekzistencës së atij shteti”, tha Federico Lombardi, zëdhënës i Vatikanit.

Lëvizja mund të mos shihet si një surprizë e jashtëzakonshme. Kjo pasi, që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për njohjen e Palestinës si një “shtet vëzhgues jo anëtar” në vitin 2012, Vatikani i është referuar “shtetit të Palestinës” me këtë term në komunikatat e tij.

Kur Papa Françesku vizitoi Tokën e Shenjtë vitin e kaluar, programi zyrtar i Vatikanit iu referua Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, si udhëheqës i “shtetit të Palestinës”. Madje, Ati i Shenjtë iu referua publikisht si “shteti palestinez” vendit, kur mbajti fjalimin në Bregun Perëndimor.

Një tjetër lëvizje e parashikueshme dhe e pritshme është edhe ajo e Ministrisë së Jashtme izraelite, e cila përmes një deklarate bën të ditur se është “tejet e zhgënjyer” nga vendimi i Vatikanit dhe se kjo lëvizje “distancon lidershipin palestinez nga rikthimi në negociatat e drejtpërdrejta dhe dypalëshe” me izraelitët, në atë proces paqeje që ka ngecur prej vitesh në vendnumëro.

Top Channel