Forumi i biznesit Shqipëri-Turqi, vlerësohen marrëdhëniet tregtare

13/05/2015 00:00

Është zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë forumi i biznesit mes Shqipërisë dhe Turqisë, ku të pranishëm kanë qenë edhe presidentët Nishani e Erdogan.

Në fjalën e tij, Nishani ka nënvizuar se prania në vijimësi e investitorëve turq në Shqipëri ka qenë e një rëndësie jetike, për shkak të ekonomisë së brishtë shqiptare.

Kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar se me kalimin e viteve kjo prani dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur një rritje të ndjeshme.

“Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Turqi kanë njohur rritje. Ndihma e Turqisë ka qenë e vazhdueshme dhe e pandërprerë në fusha të ndryshme dhe ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për asistencën e vazhdueshme të Turqisë”, ka thënë Nishani.

Ai ka shtuar se në këto 25 vite të marrëdhënieve dypalëshe, të ardhurat nga investimet dhe shkëmbimet tregtare kanë ardhur në rritje.

Ndërsa presidenti Erdogan nga ana e tij ka vlerësuar se ky forum biznesi do të jetë i dobishëm për të dyja vendet.

Së pari sa i takon interesit të Shqipërisë për të thithur investime dhe së dyti sa u takon vetë bizneseve turke, të ardhurat e të cilave përmes investimeve janë rritur.

“Kemi rritur në 8 miliardë dollarë të ardhurat tona neto. Eksportet tona janë rritur dhe borxhi publik është ulur. Ndërkohë, industria e mbrojtjes po zhvillohet dhe na rendit ndër 10 vendet e para në botë”, ka thënë Erdogan.

Ai ka rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve duke shprehur mbështetjen që Turqia i ofron Shqipërisë edhe në nivelin e NATO-s.

Top Channel