Afganistan, sulm në një hotel në Kabul, 14 të vdekur

14/05/2015 00:00

Tre persona të armatosur sulmuan një hotel në kryeqytetin e Afganistanit gjatë orëve të mbrëmjes së të mërkurës, duke u marrë jetën disa personave.

Policia afgane tha se në momentin e sulmit në hotelin “Park Hotel Palace” ndodheshin mbi 50 persona. Fillimisht Shefi i Departamentit të Hetimit të Krimeve në Kabul, Farid Afzali, tha se nuk ka pasur viktima në radhët e civilëve, pas ndërhyrjes së policisë e cila kishte vrarë 3 autorët e sulmit.

Por më vonë policia afgane tha se të paktën 14 persona kanë humbur jetën. Ambasada amerikane në Kabul konfirmoi se një nga viktimat ishte shtetas amerikan.

“14 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, mes të cilëve ka edhe shtetas të huaj”, tha shefi i policisë në Kabul.

Ambasadori i Indisë në Afganistan, Amar Sinha, tha se disa nga viktimat janë shtetas indianë, por nuk e përcaktoi numrin. Ndërkohë, zëdhënësja e ambasadës amerikane në Kabul, Monica Cummings, tha për “AFP” se një qytetar amerikan kishte mbetur i vdekur.

Forcat afgane policore përfunduan aksionin pas rreth 5 orësh rrethimi të hotelit, ndërsa deri tani asnjë grup terrorist nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Top Channel