Qytetarët e Maqedonisë nuk janë mjaftuar me dorëheqjen e 3 ministrave dhe shefit të Shërbimit Sekret. Ata dolën sërish në protestë në rrugët e Shkupit, një ritual i përditshëm ky, ku kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Nikolla Gruevski.

Organizimi i tyre vijon përmes rrjeteve sociale, ndërsa partia më e madhe maqedonase në opozitë, LSDM ka thirrur për këtë të diel një tubim masiv me të njëjtën kërkesë.

Ndërkohë për sot është njoftuar takimi i 4 liderëve kryesorë të maqedonasve dhe shqiptarëve, Kryeministrit Nikolla Gruevski, kreut të LSDM-së Zoran Zaev, kryetarit të BDI-së Ahmeti dhe atij te PDSH-se Menduh Thaçit, i cili shikohet si një lëvizje drejt zgjidhjes së krizës.

Nga ana e saj ambasada amerikane në Shkup i vlerësoi dorëheqjet e zyrtarëve të lartë si një hap pozitiv në zgjidhjen e krizës aktuale politike dhe për lëvizjen e Maqedonisë përpara.

Ambasada e SHBA-ve thekson se siç edhe ka deklaruar më parë, “është me rëndësi që liderët në Maqedoni të bëjnë hetim për keqpërdorimet e mundshme të qeverisë dhe të ndërmarrin hapa për reformim  të institucioneve demokratike në vend. Si mik dhe partner i Maqedonisë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshëm të ndihmojnë në këtë proces”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Top Channel