Allegri: Zhvilluam ndeshje të madhe me Realin. Ndaj Barcelonës është e vështirë

14/05/2015 00:00

Kur drejtuesit e Juventusit vendosën në stolin e bardhezinjve Massimiliano Allegri shumë tifozë, por jo vetëm, dolën hapur kundër tij. Por pas ndeshjes në “Bernabeu” duket se edhe më skeptiku ka ndryshuar mendje për ish-trajnerin e Milanit.

Allegri foli pas ndeshjes ndaj Realit, duke thënë se ekipi i tij bëri një ndeshje të mirë, megjithëse u shpërdoruan disa raste flagrante para portierit kundërshtar.
 
“Është një gëzim i jashtëzakonshëm. Nga ana teknike luajtëm mirë, por të dyja ekipet patën mundësi për të shënuar më shumë. Në pjesën e parë ne mund t’i shfrytëzonim më mirë rastet e krijuara, ndërsa në pjesën e dytë u mendua se do të pësonim gola të tjerë, por lojtarët zhvilluan një ndeshje të madhe”, tha Allegri.

Për sa i përket finales së 6 qershorit në Berlin, Allegri ka thënë se Barcelona është një ekip i madh, por Juventusi do të luajë mundësitë e tij.

“Është pothuajse e pamundur ta mposhtim Barcelonën, por në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhë dhe ne do të shkojmë në Berlin për të fituar”, ka deklaruar Allegri.

Allegri ka marrë komplimente edhe nga Arrigo Sacchi. “Ju e nderuat Italinë”, tha ai. “Të luash në ‘Bernabeu’ nuk është e lehtë. Juventusi zhvilloi një pjesë të parë të kënaqqshme, ndërsa 45 minutat e dyta lojtarët i inetrpretuan shkëlqyeshëm. Unë mendoj se kjo finale është shumë e rëndësishme për futbollin italian”, shtoi 69-vjeçari.

Top Channel