Filipine, 72 të vdekur nga zjarri në një fabrikë

14/05/2015 00:00

Të paktën 72 persona kanë humbur jetën nga një zjarr i rënë në një fabrikë në kryeqytetin e ishujve Filipine, njoftojnë autoritetet lokale.

Drejtuesit e policisë në Manila u kanë bërë thirrje agjentëve që të ndërmarrin menjëherë masa ndaj personave përgjegjës, pas ankesave të punëtorëve për mungesë të standardeve të sigurisë dhe shëndetësore.

“Pa dyshim që këtu do të ketë të akuzuar, sepse njerëzit humbën jetën”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i policisë, Leonardo Espina.

Policia thotë se zjarri ra kur disa shkëndija ranë në kontakt me kimikate që ishin vendosur pranë hyrjes së godinës.

Ndërmarrjet në Filipine kanë standarde të ulëta sigurie dhe zjarret e mëdha janë relativisht të zakonshme, sidomos në lagjet e varfëra. Shumica e viktimave mendohet të jenë asfiksuar nga tymi i zi që u lëshua nga djegja e gomave dhe kimikateve.

“Pavarësisht nëse zjarri ishte aksidental apo i qëllimshëm, njerëzit humbën jetën. Ne duam vetëm të dimë se çfarë ndodhi, në mënyrë që të përcaktojmë akuzat”, tha zoti Espina.

Pronari i fabrikës, që prodhon goma për këpucë e sandale, deklaroi se në ambjentet e punës në momentin e zjarrit ndodheshin deri në 300 persona.

Kryetari i bashkisë së qytetit Valenzuela, Rexlon Gatchalian tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se nuk pret që bilanci i viktimave të ngjitet më tej, pasi numri i trupave të pajetë të nxjerrë nga fabrika përputhet me numrin e personave të zhdukur.

Top Channel