Kosova: Tirana, jo peng i politikës. Do të bashkëpunoj me çdo kryeministër

14/05/2015 00:00

Në lagjen 9 të Tiranës, tek treni ndodhet i bllokuar Bulevardi i ri i Tiranës. Por Halim Kosova u tha banorëve atje se, pavarësisht në krahun e kundër politik me kryeministrin Rama, asgjë nuk do ta pengojë për bashkëpunim.

“Unë do t’i shtrij dorën e bashkëpunimit, ia kam thënë zotit Rama. Absolutisht, e ftoj të inaugurojë ai punimet, ta presë shiritin si ta ketë qejfin, do i shtrëngoj dorën. Absolutisht do të ri mbrapa, vetëm që ky projekt të eci para”, tha z. Kosova.

Këtu, dr. Kosova gjeti rastin për një kritikë ndaj rivalit Erion Veliaj, pse ka heshtur përballë bllokimit të punës dhe ka miratuar në qeveri vlerën e ulët të kompensimit të banorëve.

“Ai ka qenë pjesë e qeverisë, dhe mund të kishte ndikuar në qeveri që ky problem të ishte zgjidhur në favorin tuaj në radhë të parë, dhe qytetit në radhë të dytë”, vijoi dr. Kosova.

Megjthatë Halim Kosova beson se një debat publik me Erion Veliajn është humbje kohe në një situatë, kur shumë gjëra po shkojnë keq.

“Sa unë të harxhoj kohë për batuta e replika, ka kaq shumë probleme sa nuk është koha për të qeshur. Të jeni të sigurtë që më shumë frymëzim, më shumë përkushtim, më shumë përgjegjësi do të marr pas datës 21 qershor”, tha ai.

Por batutat janë pjesë e pandashme e fushatës, veçanërisht, kur edhe mbështetësit qëllojnë bejtexhinj.

Top Channel