Ekstradohet 30-vjeçari, pjesëtar i një rrjeti që trafikonte automjete

14/05/2015 00:00

Një 30-vjeçar është ekstraduar nga Athina mëngjesin e së enjtes. Erjon Lata nga Devolli ishte shpallur në kërkim nën akuzën e trafikimit të mjeteve motorike. Gjykata e Apelit në Korçë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Lata dyshohet të jetë pjesë e një grupi që trafikonte mjete nga Greqia në Shqipëri. Rrjeti, që sipas policisë, u shkatërrua gushtin e vitit të kaluar, kishte në përbërje të tij dhe një shtetas grek. Grupi trafikonte automjete luksoze nga Greqia në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër mes dy vendeve.

Gjatë operacionit të koduar “X6” më 3 gusht 2014, në fshatin Vërlen të Devollit, u sekuestrua në flagrancë një mjet BMW X6, prodhim i vitit 2010, pa targa. Ky mjet, në bazë të shasisë, rezultonte i vjedhur në shtetin grek.

Ekstradimi i Latës është kryer nga Zyra Qendrore e Interpol Tiranës.

Top Channel