Greqia ka arritur një marrëveshje për pjesën më të madhe të pikave të negociuara me kreditorët ndërkombëtarë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Yanis Varoufakis, gjatë një konference për shtyp në Athinë.

“Athina nuk synon një ‘qethje’ të borxhit. Por niveli i huasë është i papërballueshëm dhe ne kërkojmë që të riprojektohet dhe jo të shkurtohet”, ka thënë Varoufakis.

Dy ditë më parë, ministri helen i Financave deklaroi se situata financiare e vendit të tij është “tmerrësisht urgjente” dhe se kriza mund të arrijë kulmin brenda pak javësh.

Varoufakis e dha këtë paralajmërim, pasi ministrat e Financave të Eurozonës u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi këstin final prej 7.2 miliardë eurosh për Greqinë nga ndihma e përbashkët BE-FMN prej 240 miliardësh.

Ministrat thanë se Greqia ka bërë progrese, por i duhet më shumë punë. Nga ana e saj, qeveria greke po përpiqet të përmbushë detyrimet e saj sa u takon pagesave.

Më herët, gjatë muajit, vendi ballkanas filloi transferimin e 750 milionë eurove në interesa për borxhet e marra ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, një ditë përpara skadimit të afatit.

“Likuiditeti është një çështje tmerrësisht urgjente. Se si qëndron ajo, kjo dihet. Nuk ka nevojë t’i vijmë rrotull. Sa i takon kohës, na kanë mbetur dy javë”, tha Varoufakis.

Top Channel