Sazani, ish-ishulli ushtarak do të hapet për turistët në qershor

14/05/2015 00:00

Prej qershorit, ishulli i Sazanit do të jetë i hapur për turistët. Vetë kryeministri Edi Rama, në profilin e tij në Facebook, ka postuar shkrimin e mediave ndërkombëtare, të cilat po i japin jehonë projektit të kthimit të ishullit ushtarak në vend të vizitueshëm.

“Shqipëria, turizëm në ishullin me të kaluar ushtarake”. Ky është titulli i prestigjiozes ‘Associated Press’. Teknikisht ajo është ende një bazë ushtarake, me dy ushtarë dhe një mol për patrullat detare.

“Ishulli ka 3600 bunkerë dhe disa tunelë të ndërtuar me sulmet bërthamore në mendje, gjatë kohës së diktaturës komuniste”, shkruan ndërkaq “Lonely Planet”.

“Lonely Planet” vlerëson se ishulli i Sazanit ka biodiversitet dhe zyrtarët e turizmit shqiptar shpresojnë se mund të bëhet një destinacion i mirë për të parë zogjtë, por edhe për zhytje në det. Ka edhe ide për të përdorur tunelet anti-bërthamore si qilarë për verë.

“Ndërtesat e braktisura e ishullit janë përdorur si shtëpi për mbi 3000 trupa dhe aty ka edhe një shkollë të shkatërruar, që u ndoq nga fëmijët e familjeve të ushtarakëve. Sazani mund të arrihet për rreth gjysëm ore me motoskaf nga Vlora dhe është planifikuar që në qershor të fillojë udhëtimet një anije e përditshme”, shkruan më tej “Lonely Planet”.

 

FOTO GALERI
1/7
Foto Associated Press

Top Channel