Isa Boletini do të prehet në Vlorë pranë Ismail Qemalit

14/05/2015 00:00

Eshtrat e Heroit Kombëtar Isa Boletini, më 10 Qershor do të vendosen në krah të babait të kombit shqiptar, Ismail Qemali në Vlorë.

Pas takimit me familjarët e Isa Boletinit, kryeministri Edi Rama thotë se kjo nismë e përbashkët e Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës, do të kulmojë me një ceremoni madhështore në Sheshin e Flamurit.

“Së bashku po bëjmë gjënë e duhur për të nderuar këtë figurë të madhe, për të nderuar këtë histori të madhe edhe për t’u përcjellë gjeneratave të reja mesazhin e fortë dhe të kthjellët të ëndrrës dhe betejës së përbashkët të këtyre dy etërve të kombit dhe padyshim, edhe të shtetit tonë”- deklaroi Rama.

10 Qershori është një datë simbolike, ku përkujtohet Lidhja e Prizrenit, e mbajtur pikërisht në këtë datë në vitin 1878. Referuar kësaj zv.kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi e quajti një ditë të veçantë për kombin shqiptar.

“Të dy bashkë, ashtu siç edhe bënë pavarësinë e Shqipërisë, duke u prehë pranë njërit-tjetrit, edhe sot do të dërgojnë mesazhin më të mirë për të ardhmen e kombit shqiptar. Ismail Qemali dhe Isa Boletini e kanë bashkuar kombin shqiptar me mesazhin e tyre njëherë e përgjithmonë dhe besoj që edhe 10 Qershori do të dërgojë mesazhin e një të ardhmje edhe më të sigurtë integruese dhe përbashkuese për kombin shqiptar”- u shpreh Thaçi.

Më 23 Janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin Podgoricën pa luftë austriakëve, urdhri për vrasjen e Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake.

Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjitha trevat shqiptare. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka edhe një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, me emrin e “Isa Boletini”.

Top Channel