Fotoja e një profesori që mban në krahë një vogëlush që qan në Universitetin Hebre të Jeruzalemit është bërë virale në të gjithë botën, dhe historia është shumë e lezetshme. Fëmija nisi të qante gjatë leksionit të profesorit Sydney Engelberg.

Vajza e tij, Sarit Fishbaine, shpjegon se i ati, mësues prej 45 vitesh, jep mësim në programin master, program me shumë studentë të rritur.

“Ka shumë nëna të reja dhe shumë prej tyre kanë fëmijë. Ai i inkurajon të sjellin fëmijët e tyre në klasë”, thotë Fishbaine për BuzzFeed.

Studentja po bëhej gati të largohej kur vogëlushi nisi të qante. Por profesori Engelberg e mori fëmijën në krahë, dhe pasi e qetësoi, vazhdoi mësimin sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

“Babai im i adhuron fëmijët. Ai ka pesë nipër e mbesa”, vijon Sarit. Ajo shton se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për babain e saj 67-vjeçar, një psikolog social, pasi shumë studentë femra i sjellin fëmijët në klasë, madje u japin edhe gji.

“Kjo është ajo që unë e quaj një organizim të mirë mësimi! Babi, ti je më i miri”, shkruan Fishbaine, në postimin e saj.

Top Channel