Tifozët e Pejës: Maqedonasit e KB Prishtinës mos të vijnë në qytetin tonë

14/05/2015 00:00

Grupi i tifozëve të Pejës, “Shqiponjat”, i ka bërë thirrje publike klubit të basketbollit Prishtina që në takimin e dytë final të “play-off”-it që do të zhvillohet të enjten në Pejë, të mos udhëtojë me dy anëtarët maqedonas të klubit, trajnerin Marjan Ilievski dhe lojtarin Bojan Trajkovski.

Sipas njoftimit në Facebook, kjo kërkesë vjen për shkak të situatës së krijuar në Maqedoni gjatë ditëve të fundit.

“Këta dy persona nuk janë të mirëseardhur në Karagaç derisa djemtë e Pejës, Dukagjinit dhe Kosovës, në mënyrë të padrejtë vriten dhe arrestohen në Maqedoni. Derisa të zbardhet rasti, të sqarohet situata dhe të lirohen të arrestuarit, ne nuk do t’i mirëpresim trajnerin e Prishtinës, Marjan Ilievskin dhe lojtarin Bojan Trajkovski”, kanë shkruar “Shqiponjat” në Facebook.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, që përmes një deklarate dënon, siç thuhet, agjendën politike të individëve ose grupeve përmes basketbollit. FBK-ja, thuhet aty, kërkon nga KB Peja dhe KB Sigal Prishtina që ndeshjet finale të “play off”-it të organizohen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe i bën apel tifozëve të anojnë në mënyrë korrekte, ndërsa kërkon nga organet e rendit e ato përgjegjëse për sigurinë të garantojnë rrjedhën normale të ndeshjes.

Top Channel