Presidenti Nishani dekreton Fatos Rekan si ambasador i Shqipërisë në Maqedoni

14/05/2015 00:00

“Nuk mund të bëj paralelizma dhe qëndrimet e mia nuk janë për shkak të paralelizmave që mban qeveria, duke kërkuar konsultë për emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.”

Kjo ishte deklarata e kreut të shtetit pak muaj më parë, kur nisi saga a bllokimit të çdo të propozuari për ambasador nga Ministria e Jashtme, ndër ta edhe Fatos Reka, i propozuar si përfaqësuesi ynë diplomatik në Shkup. Vetëm pak kohë pas kësaj deklarate, Bujar Nishani shpall dekretin e emërimit të tij në Shkup si ambasador.

Dekretimi i diplomatit të karrierës Fatos Reka nga Presidenti, vjen pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, çka risolli në kujtesë të shtetit se Shqipëria prej muajsh nuk ishte e përfaqësuar me ambasador në vendin fqinj, ku shqiptarët janë faktor shtetformues.

Por, më shumë sesa kaq, lëvizja e kreut të shtetit vjen vetëm një ditë pas publikimit të lajmit se Ministria e Jashtme vendosi të zgjidhë ngërçin, duke dërguar në Shkup si të ngarkuar me punë, drejtorin për rajonin në këtë ministri, Bashkim Ramën.

Madje, nota diplomatike për të është depozituar dy ditë më parë në shtetin pritës.

Por, vetëm dy ditë më pas, vjen dekretimi si ambasador i Fatos Rekës, çka sjell edhe mbivendosje me kredencialet që i çohen Maqedonisë për përfaqësuesin tonë diplomatik atje, duke vënë në pikëpyetje edhe seriozitetin e përfaqësimit.

Lëvizja e presidentit për të dekretuar një ambasador pasi kanë nisur procedurat për të dërguarin me punë në Shkup, nuk ndodhi në rastin e Vatikanit. Ministria e Jashtme i dha të njëjtën zgjidhje, duke emëruar të ngarkuar me punë Visar Zhitin, i cili u refuzua të dekretohej nga Presidenti, me të njëjtin argument, se nuk ishte konsultuar emri i tij, njësoj si ai i Fatos Rekës, për të cilin Presidenti u tërhoq nga kushti i vënë ndaj qeverisë.

Top Channel