Blushi, kundër deklaratave të Erdoganit: Lëvizja “guleniste” nuk është terroriste

14/05/2015 00:00

Ben Blushi ishte i vetmi nga deputetët, që dënoi nga foltorja e Kuvendit deklaratën e Presidentit turk një ditë më parë, për të konsideruar “organizatë terroriste” praninë me investime në Shqipëri, të kundështarit të tij të brendshëm politik, Fethullah Gulen.

Për deputetin socialist është e papranueshme, e tepërt dhe cënim i lirisë së një vendi, kërkesa e Recep Tayyip Erdogan për t’u përfshirë në debatin e brendshëm politik të vendit të tij, duke i kërkuar mbylljen e disa shkollave në Shqipëri, si investime të Gulenit.

“Presidenti i Turqisë erdhi dje dhe tha që duhet të mbyllim disa shkolla. Por si e tha këtë, si një vëlla, si një mik? Nuk kam parë ndonjë vëlla apo mik që të thonë mbyllni shkolla. Apo e tha si baba? Në qoftë se ne si komb do të kishim një baba, të parit farë nderi do t’i takonte Skënderbeut. Së dyti Ismail Qemalit, por ne nuk kemi baballarë jashtë Shqipërisë. Kjo nuk është kërkesë për t’u pranuar. Kërkesa e djeshme ishte e tepërt dhe, Parlamenti i Shqipërisë, Presidenti, kryeministri dhe qeveria e Shqipërisë; pavarësisht se i kuptoj pozitat ku janë, por nuk mund ta pranojnë në asnjë mënyrë. Kjo, e thashë, sepse nuk jemi, s’mund të jemi dhe nuk duhet të jemi koloni turke. Ne nuk jemi koloni e askujt. Për të mos u bërë palë në një konflikt demokratik ose jo, nuk ka rëndësi në Turqi, besoj që është dita për ta refuzuar kolektivisht këtë kërkesë. Të jeni të bindur, siç do thoshte Presidenti Erdogan, nuk do të bëhemi pishman, sepse mbrojmë liritë dhe krenarinë tonë kombëtare”, tha deputeti Ben Blushi.

Deputeti socialist, i cili për herë të parë mori duartrokitje edhe nga kolegët e grupit të tij parlamentar, deklaroi se Shqipëria as nuk duhet të pranojë që objektet e kultit, xhamitë dhe kishat të ndërtohen me financat e shteteve të tjera.

Top Channel