Durrës, asgjësohen 3320 rrënjë kanabis; aksion i policisë edhe në Vlorë

14/05/2015 00:00

Forcat e policisë së Durrësit kanë realizuar këtë të enjte një operacion antidrogë, duke asgjësuar 3320 rrënjë kanabis sativa.

Operacioni i koduar me emrin “Mukje 2015” u krye pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Sipas burimeve, bimët narkotike u gjetën të mbjella në 12 parcela në Mukje dhe Nikel, prej nga mori dhe emrin aksioni i uniformave blu.

Ndërkohë, një operacion të ngjashëm u zhvillua ditën e sotme edhe në Vlorë, ku policia zbuloi rreth 205 bimë narkotike në fshatin Lapardha.

Bimët u gjetën të kultivuara në mes të pyllit të këtij fshati, në vendin e quajtur Mesun dhe kishin arritur një lartësi prej 30 cm.

Agjentët përgjegjës kryen të gjitha veprimet hetimore dhe bënë asgjësimin e plotë të bimëve narkotike me djegie.

Top Channel