Familjarët e kosovarëve të arrestuar në Kumanovë kërkojnë të vizitojnë të afërmit

14/05/2015 00:00

Familjarët e qytetarëve kosovarë të arrestuar pas ngjarjeve në Kumanovë të Maqedonisë janë duke kërkuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës që të vizitojnë të afërmit e tyre që ndodhen në burgjet në Maqedoni.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës thonë se familjarët e qytetarëve kosovarë të arrestuar në Maqedoni duhet  të shkojnë vetë dhe të takojnë familjarët e tyre të arrestuar, pasi shteti nuk mund t’u japë ndonjë ndihmë pa e verifikuar listën e qytetarëve të arrestuar.
 
Ardian Arifaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, tha se Kosova dhe Maqedonia kanë marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike për qytetarët dhe në këtë kuadër po përpiqen t’i ndihmojnë kosovarët e arrestuar në Kumanovë.
 
Autoritetet maqedonase i kanë dërguar Ministrisë së Jashtme kosovare një listë me emrat e kosovarëve të arrestuar, por ajo ka shumë gabime dhe po verifikohet, pasi shumë të arrestuar dyshohet se kanë dhënë emra të rremë kur janë intervistuar nga policia maqedonase.
 
“Jemi duke verifikuar listën. Pra, duhet të verifikohen emrat e individëve të përfshirë aty, për shkak të gabimeve në shkrim apo diçka të ngjashme. Me pranimin e informacionit ne po përpiqemi të kontaktojmë me të arrestuarit, të asistojmë në ofrimin e ndihmës, asistencës juridike, por edhe t’i vëmë në kontakt familjet e tyre në Kosovë”, u shpreh Arifaj.
 
Përveç një liste me emrat e 23 kosovarëve të arrestuar, autoritetet e Maqedonisë ende nuk i kanë dërguar Prishtinës zyrtare emrat e viktimave gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë.
 
“Nuk ka ende asnjë informacion zyrtar për numrin e të vrarëve e pastaj edhe për numrin e qytetarëve të Kosovës eventualisht të përfshirë në numrin e viktimave”, theksoi këshilltari i Thaçit.
 
Arifaj tha se Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me autoruitetet në Maqedoni për të verifikuar secilin shtetas të Kosovës të përfshirë në konfliktin që ndodhi të shtunën e kaluar në Kumanovë.
 

Top Channel